Lajme

Projektligji për Trustin, Haxhiu-Kusarit: E drejta e votës së deputetëve s’është e privatizuar


Bekim Haxhiu dhe Mimoza Kusari-Lila

Për nismëtarin e iniciativës për mundësimin e tërheqjes të deri në 30 për qind të fondit të kursimeve pensionale, Bekim Haxhiu, e drejta e votës së deputetëve nuk është privatizuar asnjëherë nga shefat e grupeve parlamentare, deputetët janë të lirë të votojnë në interes të qytetarëve.

Reagimi i tij ka ardhur pasi që, Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë në KTV, në mënyrë të prerë kishte hedhur poshtë mundësinë e një tërheqjeje të dytë nga Trusti, duke potencuar se Projektligji për Trustin nuk ka shanse të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Ndonëse Mimoza Kusari-Lila ka përvojë në proceset e privatizimeve, nuk po besoj se ka arritur deri aty sa të privatizoj bindjet, vullnetin dhe votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Haxhiut, kjo temë nuk duhet të trajtohet me inate politike, përkundrazi duhet të bashkojë pozitë e opozitë në atë mënyrë për të ndihmuar qytetarët në krizën aktuale ekonomike.

“Parat e Trustit nuk janë lojë bixhozi ‘me shance’, as nuk janë para të ‘sekserëve të mafias energjetike’ me i dërgu ‘Martinqe’ jashtë Kosovës përmes Serbisë në Mal të Zi, e prej atje në Slloveni, por janë para të kursimeve të qytetareve dhe kërkesa e tyre është të marrin pak nga ato kursime për të përballuar krizën ekonomike”, ka shkruar Haxhiu.

Qeveria kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur javë më parë, kishte bërë të ditur se nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës për plotësim ndryshimin e Ligjit për Fondet Personale, që ka të bëjë me tërheqjen e një sasie të caktuar të mjeteve nga Trusti.

Sipas Qeverisë, tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi sipas arsyetimit, “edhe vet përqindja e fondit personal të tyre është e ulët”.

“Qeveria e Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme. Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore