Lajme

Projekti Pegasus: Vajza e aktivistit të Hotel Ruandës në mbikëqyrjen e Pegasus-it


Vajza e Paul Rusesabagina-s, aktivistit të burgosur Ruandez, i cili frymëzoi filmin “Hotel Ruanda”, ka qenë viktimë e vëzhgimit të Pegasus-it.

Pas forensikës së telefonit të saj, u gjetën prova të shumta të përdorimit të spyware-it të kompanisë izraelite NSO Group.

Carine Kanimba, një qytetare amerikano-belge, ka udhëhequr përpjekjet e familjes së saj për të liruar babanë e saj nga burgu pas rrëmbimit të tij në vitin 2020.

Babai i saj, Paul Rusesabagina, është një shtetas belg, i njohur gjerësisht, si shpëtimtari i më shumë se 1 mijë njerëzve në gjenocidin e Ruandës.

Ai u bë një kritik i zëshëm i presidentit të Ruandës Paul Kagame dhe po jetonte mes SHBA-ve dhe Belgjikës deri në arrestimin e tij nga qeveria e Ruandës.

Rusesabagina po përballet me burgim të përjetshëm pasi u akuzua për lidhje me terrorizmin, duke përfshirë vrasje dhe inskenime sulmesh në Ruanda.

Forensika

Analiza forensike e Amnesty International zbuloi se telefoni i Kanimba-s ishte sabotuar që prej janarit të 2021.

Ajo sugjeron fuqimisht që qeveria Kagame, e cila prej kohësh dyshohet që është klient i firmës izraelite të mbikqyrjes NSO, ka qenë në gjendje të monitorojë thirrjet private të 28-vjeçares dhe diskutimet me zyrtarë të qeverisë amerikane, evropiane dhe britanike.

Një zëdhënës i qeverisë së Ruandës tha se vendi “nuk e përdor këtë sistem software … dhe nuk e zotëron këtë aftësi teknike në asnjë formë”.

Një telefon i kompromentuar me malware NSO, siç ka qenë Kanimba, jo vetëm që u jep përdoruesve të spyware akses në thirrjet dhe mesazhet telefonike, por gjithashtu mund të kthejë një telefon në një pajisje portative për ndjekje dhe dëgjim.

Para se ajo të alarmohej për telefonin e saj që mund të ishte hack-uar, Kanimba tha se kishte kontakte me të dërguarin special presidencial të SHBA-ve për çështjet e pengjeve, deputetë britanikë dhe zyrën e komisionit të lartë të MB-ve në Ruandë.

Sipas saj, të gjitha këto mund të jenë monitoruar.

Kanimba

Provat forensike sugjerojnë se spiunimi filloi në janar – megjithëse mund të ketë qenë më herët – dhe ndaloi në maj. Asokohe Kanimba ishte në SHBA.

Kompromentimi rifilloi përsëri më 14 qershor, kur ajo u takua me ministren e Punëve të Jashtme belge, Sophie Wilmès.

Burimet në zyrën e ministrit thanë se asnjë informacion i ndjeshëm nuk u nda në takim.

Lajmet për fushatën e piraterisë do të rrisin vëzhgimin e trajtimit të qeverisë së Ruandës ndaj Rusesabagina-s.

Kjo, në një kohë kur disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar që administrata Biden të bëjë më shumë presion mbi Kagame-n për ta liruar atë.

Ruanda ka kohë që dyshohet si përdorues i fundit i malware-it NSO, me një histori të shënjestrimit të disidentëve brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2019, të paktën gjashtë disidentë të lidhur me Ruandën u paralajmëruan nga WhatsApp se ishin shënjestruar nga spyware i bërë nga NSO.

Figurat kryesore në diasporën e Ruandës, duke përfshirë mërgimtarët që jetojnë në Kanada dhe SHBA, duket se janë përfshirë në një listë të personave me interes për klientët e NSO-së.

Rusesabagina, i cili është quajtur “Schindler-i Afrikan”, pretendohet se është torturuar në ditët pas arrestimit të tij.

Autoritetet e Ruandës kanë mohuar që ai ishte rrëmbyer ose keqtrajtuar në paraburgim. Gjyqi i tij është dënuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe ka ashpërsuar kritikat ndaj qëndrimit gati tre dekadash të Kagame-s mbi Ruandën nga aleatët kryesorë në MB dhe SHBA.

Në një intervistë, Anaïse Kanimba, motra e Carine-s, tha se e gjithë familja e saj ndihej sikur ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm nga qeveria e Kagame-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore