Lajme

Projekt-rezoluta e OKB-së: Zgjatet mandati i EUFOR në Bosnje edhe për një vjet, theksohet prania e NATO-s


Ilustrim

Këshilli i Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) do t’ia zgjasë mandatin forcës paqeruajtëse të Bashkimit Evropian (BE) në Bosnje dhe Hercegovinë (EUFOR), të paktën edhe për një vjet.

Kështu bënë të ditur mediumi boshnjak “Istraga”, e cila ka siguruar draft-rezolutën që aktualisht është duke u harmonizuar dhe pritet të jetë në axhendën e KS-së në OKB, më së voni deri me 3 nëntor kur zyrtarish i skadon mandati EUFOR-it.

Po ashtu, në disa pika përmendet edhe prania e Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në BeH, si rezultat i situatës të tensionuar në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli i Sigurimit në OKB, duke konstatuar se situata në rajonin e ish-Jugosllavisë vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe duke vepruar në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara:

“Autorizon shtetet anëtare që veprojnë nëpërmjet ose në bashkëpunim me BE- në për të krijuar për një periudhë të mëtejshme dymbëdhjetë mujore, duke filluar nga data e miratimit të kësaj rezolute, një forcë stabilizuese shumëkombëshe (EUFOR ALTHEA) si pasardhëse ligjore e SFOR-it, të cilat do të përmbushin misionet e tyre në lidhje me zbatimin e Aneksit 1-A dhe Aneksit 2 të Marrëveshjes Kornizë të Përgjithshme për Paqen në BeH dhe anekset e saj në bashkëpunim me praninë e shtabit të NATO-s”.

“Vendos të rinovojë autorizimin e parashikuar në paragrafin 11 të rezolutës 2183 (2014) për një periudhë të mëtejshme dymbëdhjetë mujore duke filluar nga data e miratimit të kësaj rezolute”.

“Autorizon shtetet anëtare që veprojnë sipas paragrafëve 1 dhe 2 më sipër për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar dhe siguruar përputhjen me anekset 1-A dhe 2 të Marrëveshjes së Paqes, thekson se palët do të vazhdojnë të jenë njësoj përgjegjëse për pajtueshmërinë me aneksin dhe në mënyrë të barabartë do t’u nënshtrohen masave të tilla detyruese nga EUFOR ALTHEA dhe prania e NATO-s që mund të jetë e nevojshme për të siguruar zbatimin e atyre anekseve dhe mbrojtjen e EUFOR ALTHEA dhe pranisë së NATO-s”.

“Autorizon shtetet anëtare të marrin të gjitha masat e nevojshme , me kërkesë të EUFOR ALTHEA ose selisë së NATO-s, për të mbrojtur praninë e EUFOR ALTHEA ose NATO-s, dhe për të ndihmuar të dyja organizatat në ekzekutimin e misioneve të tyre, dhe njeh të drejtën të EUFOR ALTHEA dhe pranisë së NATO-s për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga sulmi ose kërcënimi i sulmit”.

“Autorizon shtetet anëtare që veprojnë sipas paragrafëve 1 dhe 2 më sipër, në përputhje me Aneksin 1-A të Marrëveshjes së Paqes, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar respektimin e rregullave dhe procedurave që rregullojnë komandimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore mbi BeH me respekt për të gjithë trafikun ajror civil dhe ushtarak”.

Ndryshe, kohët e fundit është spekuluar se Rusia mund të vendos veton e saj në Këshill të Sigurimit për të mos ia vazhduar mandatin misionit evropian.

EUFOR si mision në BeH funksionon që nga viti 2004 dhe përbëhet nga 3 mijë e 500 trupa nga të cilat 1 mijë e 100 ndodhen në BeH.

Perëndimi vazhdimisht e ka bërë të ditur se në kontekstin e krizës në Ukrainë, jo vetëm që do të mbajë EUFOR-in në BeH, por edhe do ta fuqizojë edhe më tej.

Në vitin 2014, Rusia abstenoi nga votimi për mandatin ekzekutiv të EUFOR-it në Këshillin e Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur tashmë gatishmërinë për të reaguar nëse mandati i EUFOR-it bllokohet dhe NATO ka konfirmuar se po shqyrton planet, ndërsa përgjigja më e fortë e Perëndimit, thonë ekspertët, do të ishte forcimi dhe vendosja e forcave të NATO-s.

Me të filluar agresioni rus mbi Ukrainën, i menjëhershëm ka qenë rritja e prezencës së EUFOR-it në BeH, si përgjigje ndaj një bartjeje potenciale të konfliktit në Ballkan.

Një kolonë automjetesh të blinduara, që transportonin kamionë, hynë në Bosnje në pikën kufitare Bosanski Samaca në BeH.

Bosnja, ashtu si Ukraina, ka thënë prej kohësh se dëshiron të anëtarësohet në NATO – një pozicion që ka zemëruar Rusinë.

Moska tha në mars të vitit të kaluar se do të reagonte nëse Bosnja do të ndërmerrte hapa drejt bashkimit me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga pro-rusi Milorad Dodik, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë NATO-s.

EUFOR është vendosja ushtarake e BE-së që mbikëqyr zbatimin ushtarak të Marrëveshjes së Dejtonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore