Lajme

Programi i Qeverisë Kurti mision i (pa)mundur


Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ka analizuar programin e Qeverisë së Kosovës, të miratuar javën e kaluar, ku kanë radhitur 165 zotimet e Qeverisë Kurti 2.

Ky institut përmes një komunikate për media ka sqaruar se qëllimi i këtij publikimi është vazhdimi i traditës së de-konstruktimit të programeve të qeverive.

“Kemi identifikuar 165 masa konkrete për të cilat është zotuar Qeveria e Kosovës në kuadër të programit të saj 2021-2025, nga vaksinimi i 60% të qytetarëve që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021 dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e deri tek sigurimi i një mijë bursave studentore për vajzat dhe ofrimit të banimit të përballueshëm për katër mijë familje”, thuhet në njoftim.

Bazuar në analizën e publikuar nga EPIK, ministria me më së shumti detyra është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me gjithsejtë 38 masa, ndërsa ministria që nuk ka paraparë asnjë detyrë konkret është Ministria për Kthim dhe Komunitete.

“Me qëllim të monitorimit më të lehtë dhe rritjes së llogaridhënies ne kemi përgatitur edhe ndarjen e detyrave që burojnë nga Programi i Qeverisë sipas mandatit të secilit ministër”, vijon njoftimi.

Ky program qeverisës është titulluar si “mision i (pa)mundur”, sepse sipas EPIK, “programi i asaj kohe dhe ky i tanishëm janë në mes ideales dhe të pamundurës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore