Shqipëria

“Procesi i Berlinit”, Tirana pret Ministerialin e Ministrave të Brendshëm


Kryeqyteti i Shqipërisë do të mirëpresë të enjten e 14 shtatorit Ministerialin e Ministrave të Brendshëm, e cila do të organizohet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Tema të Ministerialit pritet të jenë menaxhimi i integruar të kufijve, bashkëpunimi rajonal në luftën kundër Krimit të organizuar dhe partneriteti për krimin kibernetik në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Brendshëm shqiptar Taulant Balla do të presë ministrat e Brendshëm dhe krerët e delegacioneve nga 26 vende të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, nga ora 12:15 deri në 13:30, në hyrje të Pallatit të Kongreseve.

Në nisje të Ministerialit, në orën 14:00 do të mbajë fjalën ministri Balla, Fernando Grande-Marlaska – në cilësinë e Presidencës të Këshillit të BE-së, ministër i Brendshëm i Spanjës dhe Johannes Luchner, zëvendës drejtor i Përgjithshëm i DG HOME nga Komisioni Evropian.

Më pas, punimet do të vijojnë me dyer të mbyllura në dy seanca.

Pritet që në orën 17:20, ministri Balla do të bëjë përmbylljen e punimeve dhe rezultatet e arritura.

Në 17:30 do të ketë një konferencë për media të ministrit të Brendshëm shqiptar dhe DG Home.

Konferenca do të mbahet në sallën e Albanologjisë, në Pallatin e Kongreseve.

Ministri i Brendshëm priti më herët ministrin e Emigracionit të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick të mërkurën e 13 shtatorit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Zyrtari britanik do të jetë po ashtu pjesë e punimeve të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm.

Të dy zyrtarët panë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve të kthyer nga Anglia si pasojë e qëndrimit të tyre të paligjshëm.

Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre.

Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90 për qind krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme.

Më pas dy ministrat vizituan Task Forcën, e cila funksionon në ambientet e godinës së re të Komisariatit të Policisë Rinas ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, zbuloi në fillim të vitit se samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Kjo, duke shënuar herën e parë që ky organizim do të zhvillohet në një nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.

“Po punojmë me kancelarin në Berlin e po diskutojmë me Komisionin Evropian në Bruksel. Na duhet ky plan na duhet mbështetja dhe e meritojmë. Që të mos shihemi thjesht si ata që i bëjnë detyrat vetëm por dhe kontribuojnë. Sot më shumë se kurrë është e qartë se BE ka nevojë për ne siç kemi ne nevojë për ta”, do të shprehej më herët kryeministri shqiptar Edi Rama për Procesin e Berlinit.

Ambasada Gjermane në Tiranë deklaroi gjatë muajit shtator se qëllimi i Procesit të Berlinit është thellimi i integrimit rajonal dhe udhëheqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Kjo përfshin zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë, shkëmbimin rajonal e të rinjve, pajtimin dhe shkencën.

Diplomacia gjermane shtoi se përmes krijimit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), të rinjtë mësojnë më shumë për vendet fqinje dhe kuptojnë se kanë më shumë të përbashkët sesa ndryshime.

Edhe nënshkrimi i marrëveshjes së roaming-ut është një sukses i Procesit të Berlinit: që nga ajo kohë, ju mund të lundroni pa pagesë në plazh në Mal të Zi dhe të telefononi në shtëpi – kjo vlen natyrisht edhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këto janë vetëm dy rezultate, nga të cilat vendet përfitojnë ndjeshëm dhe që përgatisin rajonin për anëtarësimin në BE.

Ndërsa përfitime të tjera janë: mundësi më të mira punësimi; krijimi i një tregu të integruar dhe konkurrues; udhëtim, studim dhe punësim pa kufizime në BP dhe rritje shtesë e PBB në BP me 6.7%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore