Lajme

“Problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut – nuk zgjidhet duke akuzuar”


Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas akuzave të bëra në lidhje me gurthemelimin e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka thënë se problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut “është kompleks dhe nuk zgjidhet duke akuzuar, pa asnjë bazë, qeverisjen që nuk ka fare gisht në legjitimimin e tij”.

Pupovci ka thënë se e vërteta është se Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është në administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe se këtë e pranon edhe vet LDK-ja, duke iu referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e po ashtu edhe Ligjit për Arsimin në komuna.

“Këto dy ligje janë aprovuar në majin e vitit 2008, me procedurë urgjente, dhe bëjnë pjesë në legjislacionin vital i cili nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Po besoj se të gjithëve ju kujtohet përbërja e koalicionit qeverisës dhe e shumicës parlamentare në atë mandat”, ka shkruar Popovci në Facebook.

Kurse sipas tij, “e pavërteta” konsiston në pohimin se “asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e plan programeve të Republikës së Serbisë”.

“Në fakt, legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut  ju njihen diplomat për qëllime punësimi”, ka thënë Popovci duke shtuar se deri më 30 prill 2021 janë njohur një mijë e 709 diploma të lëshuara nga ky Universitet.

“Nuk e di si mund të legjitimohet më mirë një universitet sesa duke ju njohur diploma”, ka thënë ai.

Ndërkohë, LDK ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi sipas tyre po lejon që ministrat e tij dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete “që de-legjitimojnë shtetin tonë”.

“Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”.

Edhe Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka thënë se ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës “po bëhet në pajtim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

“Ai ishte në dijeni për ndërtimin e këtij Universiteti serb qysh në fillim të muajit korrik dhe këtë e ka konfirmuar në përgjigjen që ka dhënë në Kuvendin e Kosovës saktësisht me shtatë korrik kur unë e pyeta për ndërtimin e këtij universiteti se a është në dijeni për ndërtimin e një objekti të tillë”, është shprehur deputetja.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore