Sport

Prishtina e nis sezonin e ri me tripletë, fiton edhe Malisheva


Superliga e Kosovës ka nisur sezonin e ri futbollistik 2023-24 me dy ndeshje këtë të shtunë. Prishtina ka fituar 3-1 ndaj Ferronikeli ’74 dhe Malisheva triumfoi minimalisht 1-0 në transfertën e Dukagjinit.

Prishtina triumfoi në shtëpi me lehtësi e ndikuar dhe nga një karton i kuq i hershëm që mori skuadra kundërshtare. Behar Maliqi la me 10 lojtarë në fushë Ferronikelin në minutën e 28.

Goli i par ëi sfidës do të vinte në minutën e 35 me autor Egzon Sinanin. Ky ishte goli i parë i tij me fanellën e Prishtinës, një gol në debutim.

Gjithashtu, duke qenë se ishte ndeshja e parë që u zhbllokua për këtë sezon te ri, goli i Sinanit bëhet goli i parë i sezonit në Superligë.

Dy golat e tjerë të Prishtinës do të vinin në pjesën e dytë. Në minutën e 60 shënoi Hasan Hyseni. Dhe, nëntë minuta më vonë realizoi edhe Jalen Blesa.

Goli i nderit për miqtë do të vinte në minutën e 85, teksa Fiton Hajdari realizoi për 3-1.

Në takimin tjetër, Malisheva triumfoi me golin e Arlind Veliut në sekondat e para të pjesës së dytë.

Malisheva kishte arritur të shënonte një tjetër gol në minutat e para të takimit, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari e anuloi për pozicion jashtë loje.

Të dielën do të luhen dy takimet e tjera të javës së parë në Superligë: Ballkani – Liria dhe Drita – Llapi. Kujtojmë që takimi mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit është shtyrë më herët, pasi ishte në kalendar për t’u zhvilluar këtë të shtunë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore