Lajme

Princi saudit i Kurorës – Mohammed bin Salman – emërohet kryeministër


Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, ka lëshuar një dekret mbretëror për të emëruar Princin e Kurorës Mohammed bin Salman si kryeministër të vendit.

Më parë, Princi i Kurorës ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes i mbretërisë.

Kurse me anë të një dekreti tjetër mbretëror, Mbreti ka ristrukturuar edhe Këshillin e Ministrave, i cili drejtohet nga Princi i Kurorës.

Po ashtu Mbreti saudit ka lëshuar një dekret duke emëruar zëvendësministrin e Mbrojtjes, Princin Khalid bin Salman si ministër të Mbrojtjes të mbretërisë.

Krerët e ministrive të tjera kritike, përfshirë atë të Brendshme, të Jashtme dhe të Energjisë, mbetën njësoj.

Princi Mohammed, i cili mbushi 37 vjeç muajin e kaluar, ka qenë i pari në radhë për të pasuar të atin e tij si Mbret që nga viti 2017.

Ai u bë ministër i Mbrojtjes në vitin 2015, një hap kyç në një konsolidim të shpejtë të pushtetit që e pa atë të marrë drejtimin në portofolet kryesore.

Prej vitesh, Arabia Saudite ka kërkuar të shuajë spekulimet mbi shëndetin e Mbretit 86-vjeçar, i cili ka udhëhequr eksportuesin kryesor të naftës në botë që nga viti 2015.

Në vitin 2017, ai hodhi poshtë raportimet dhe spekulimet në rritje se po planifikonte të abdikonte në favor të Princit Mohammed.

Mbreti Salman është shtruar në spital dy herë deri më tani këtë vit, më së fundi një qëndrim njëjavor në maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore