Lajme

Princi Harry: “Megxit”, term paragjykues ndaj gruas time


Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan

Princi Harry e ka cilësuar paragjykuese fjalën e përdorur nga mediat britanike “Megxit”, për të përshkruar vendimin që çifti mbretëror Meghan dhe Harry, të tërhiqen nga detyrat.

Sipas tij, kjo është një shembull i qartë i urrejtjes në internet dhe media, raporton The Guardian.

“Ndoshta njerëzit e dinë këtë dhe ndoshta nuk e dinë, por termi Megxit ishte ose është një term paragjykues. Ai u krijua nga një troll (person që antagonizon qëllimisht të tjerët në internet duke postuar komente nxitëse, të parëndësishme fyese, ose të tjera), i përforcuar nga korrespondentët mbretërorë, dhe u rrit, u rrit dhe u rrit në mediat kryesore. Por, filloi me një troll”, tha Harry, edhe pse nuk dha më shumë detaje.

Harry i bëri komentet, ndërsa fliste në një panel të quajtur Internet Lie Machine, organizuar nga revista amerikane “Wired”, në të cilën tha se i komunikoi shefit të Twitter, Jack Dorsey, se “platforma e tij po lejonte një grusht shteti”.

Harry dhe Meghan, të njohur zyrtarisht si Duka dhe Dukesha e Sussex, u transferuan në Kaliforni vitin e kaluar, për të bërë një jetë të pavarur.

Harry ka thënë se një pjesë e arsyes së largimit të tyre ishte trajtimi racist i Meghan-it, nëna e së cilës është me ngjyrë dhe babai i bardhë, nga mediat tabloide britanike.

Një studim i publikuar në tetor nga shërbimi i analitikës së mediave sociale, Bot Sentinel, identifikoi 83 llogari në Twitter, për të cilat tha se ishin përgjegjëse për 70 për qind të përmbajtjes me urrejtje dhe dezinformatave që synonin çiftin mbretëror Meghan dhe Harry.

Duke iu referuar studimit, Harry tha të martën se “ndoshta pjesa më shqetësuese e kësaj ishte numri i gazetarëve britanikë që po ndërvepronin me ta dhe po forconin gënjeshtrat. Por ata i rikthejnë këto gënjeshtra si të vërteta”.

Harry dhe Meghan që atëherë kanë bërë fushatë kundër negativitetit të mediave sociale që ata thonë se po ndikon në shëndetin mendor të njerëzve.

Të martën, Harry e quajti keqinformimin një “krizë humanitare globale”.

Princesha Diana dhe Princ Harry në vitin 1995.Duke folur për nënën e tij, Princeshën Diana, e cila humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris, ndërsa po ndiqej nga paparacët, Harry shtoi: “Kam mësuar që në moshë shumë të hershme se stimujt e botimit nuk janë domosdoshmërish në përputhje me stimujt e së vërtetës”.

“E di shumë mirë historinë. E humba nënën time për shkak të tërbimit të vetëprodhuar dhe pa dyshim që jam i vendosur të mos humbas nënën e fëmijëve të mi për të njëjtën gjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore