Shqipëria

Prezenca e OSBE-së prezanton projektin për të çuar më tej reformën zgjedhore


Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka prezantuar një projekt mbi reformën dhe proceset zgjedhore.

Projekti në fjalë synon të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në Shqipëri, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Projekti i OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri” financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë. Ai do të zgjasë deri në nëntor 2026.

Objektivat kryesore të projektit përfshijnë mbështetjen e autoriteteve me ekspertizë dhe asistencë për zbatimin e votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare; kontribut në përmirësimin dhe depolitizimin e administratës zgjedhore nëpërmjet një trajnimi zgjedhor sistematik dhe profesional; dhe fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Për më tepër, projekti do të ndihmojë autoritetet shqiptare për të përmirësuar kapacitetet logjistike zgjedhore, duke kontribuar në modernizimin e kapaciteteve të trajnimit dhe të informimit dhe në rritjen e infrastrukturës teknologjike për zbatimin e duhur të votimit nga jashtë vendit.

“Ky projekt shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt forcimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe garantimit që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të vlerësohet në procesin zgjedhor. Ai pasqyron përkushtimin tonë për të nxitur një proces zgjedhor që është transparent, gjithëpërfshirës dhe u përgjigjet nevojave dhe aspiratave të popullit shqiptar,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton, gjatë prezantimit të projektit.

Në veprimtari folën edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber dhe shefi i Seksionit Politik dhe Ekonomik të Ambasadës së Polonisë, Tomasz Frączkiewicz.

“Kontributet bujare të qeverive tuaja e fuqizojnë më tej Prezencën për të ndihmuar partnerët tanë shqiptarë me një qasje më të thellë dhe më gjithëpërfshirëse në një sërë fushash. Ne e vlerësojmë thellësisht angazhimin tuaj vizionar dhe besimin e palëkundur në misionin tonë”, tha ambasadori Berton.

Përfituesit kryesorë të projektit janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë dhe qytetarët shqiptarë. Puna e projektit do të kryhet në bashkërendim me partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe me OSBE/ODIHR-in.

Nisma është pjesë e synimit të përgjithshëm të Prezencës për të promovuar demokratizimin, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe për të konsoliduar institucionet demokratike, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore