Lajme

Presidenti kinez Xi Jinping viziton rajonin e Tibetit


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka vizituar rajonin e trazuar politikisht të Tibetit, vizita e parë zyrtare nga një udhëheqës kinez në 30 vjet.

Presidenti ishte në Tibet nga e mërkura në të premte, por vizita u raportua vetëm nga media shtetërore të premten, për shkak “të ndjeshmërisë” së udhëtimit.

Kina akuzohet për shtypjen e lirisë kulturore dhe fetare, në rajonin e largët dhe kryesisht budist.

Qeveria mohon akuzat.

Në pamjet e lëshuara nga transmetuesi shtetëror CCTV, Jinping u pa duke përshëndetur një grup të veshur me kostume etnike dhe duke valëvitur flamurin kinez, ndërsa po largohej nga avioni i tij.

Ai arriti në Nyingchi, në juglindje të vendit dhe vizitoi një numër vendndodhjesh për të mësuar rreth zhvillimit urban, përpara se të udhëtonte në kryeqytetin Lhasa.

Ndërsa ishte në Lhasa, Xi vizitoi Pallatin Potala, shtëpinë tradicionale të udhëheqësit shpirtëror tibetian të mërguar, Dalai Lama.

Njerëzit në qytet kishin “raportuar aktivitete të pazakonta dhe monitorimin e lëvizjes së tyre” përpara vizitës së tij, tha të enjten grupi i avokimit Fushata Ndërkombëtare për Tibetin.

Presidenti vizitoi për herë të fundit rajonin 10 vjet më parë si nënkryetar. Udhëheqësi i fundit kinez, i ulur që vizitoi zyrtarisht Tibetin ishte Jiang Zemin në 1990.

Media shtetërore tha se Jinping mori kohë për të mësuar në lidhje me punën që po bëhet në çështjet etnike e fetare dhe punën e bërë për të mbrojtur kulturën tibetiane.

Shumë tibetianë të mërguar akuzojnë Pekinin për shtypje fetare dhe shkatërrim të kulturës së tyre.

Tibeti ka pasur një histori të trazuar, gjatë së cilës ka kaluar disa periudha, duke funksionuar si një entitet i pavarur dhe të tjera të qeverisura nga dinasti të fuqishme kineze dhe mongoliane.

Kina dërgoi mijëra trupa për të zbatuar pretendimet e saj mbi rajonin në 1950. Disa zona u bënë rajon autonom i Tibetit dhe të tjerat u përfshinë në provincat fqinje kineze.

Kina thotë se Tibet është zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme nën sundimin e saj, por grupet e fushatës thonë se Kina vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut, duke e akuzuar atë për shtypje politike dhe fetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore