Sport

Presidenti i Federatës: Skandali në ndeshjen Juventus – Salernitana nuk është faji i askujt


Ndeshja mes Juventus-t dhe Salernitana-s krijoi shumë polemika për shkak të një episodi që ndodhi në fund të takimit.

Bardhezinjtë ishin duke e humbur këtë takim, por në minutat shtesë fillimisht barazuan rezultatin në 2:2, pastaj shënuan edhe golin e fitores, por ai u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.

Pamjet e publikuara pas ndeshjes treguan se pozicioni ishte i rregullt dhe gjyqtarët gabuan.

Goli u anulua pasi pretendohej se Leonardo Bonucci ishte në pozitë të parregullt, i cili ishte aktiv në momentin kur Arkadiusz Milik shënoi.

Por, gjytarët nuk e kishin parë futbollistin e Salernitana-s, Antonio Candreva-n, i cili ishte në vijën e fundit, rreth 50 centimetra larg nga Bonucci.

Arsyeja pse Candreva nuk ishte vënë re nga gjytarët, ishte sepse ai ndodhej larg nga porta (afër kornerit).

Lidhur me këtë rast, së fundmi ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina.

Gravina ka thënë për këtë gabim që nuk është faji i askujt dhe nuk duhet të suspendohet asnjë gjyqtar.

“Imazhi që u shfaq në media pas ndeshjes nuk ishte në dispozicion të arbitrave”, tha presidenti Gravina për Sportmediaset të martën.

“Për fat të keq, gjyqtarët nuk e vunë re gabimin, por as VAR-i dhe as gjyqtarët nuk gabuan. Nuk është skandal. Të gjithë duhet të qetësohen”, shtoi ai.

Ai vazhdoi duke mos i akuzuar gjyqtarët, pasi që ata nuk patën pamje për ta parë pozicionin e Candreva-s.

“Arbitrat nuk patën pamjet e mjaftueshme për ta parë pozicionin e Candreva-s. Pamjet që u publikuan pas ndeshjes treguan se Candreva mbante në lojë Bonucci-n, por për fat të keq kjo nuk u pa nga gjyqtarët, kështu që nuk do të dënohet askush”, tha mes tjerash Gravina.

Kujtojmë që në fund ndeshja u mbyll me rezultat 2:2. Kur Milik shënoi golin që u anulua, hoqi fanellën duke festuar dhe u përjashtua nga loja me kartonin e dytë të verdhë.

Gjithashtu pas protestave u ndëshkuan edhe trajneri Massimiliano Allegri dhe Juan Cuadrado, që do të thotë se të tre nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e ardhshme të Juventus-it ndaj Monza-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore