Shqipëria

Presidenca zbulon agjendën e vizitës së Begajt në selinë e NATO-s


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në NATO, të martën e 7 marsit.

Kreu i Shtetit do të ketë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas njoftimit zyrtar të institucionit shqiptar, palët do të diskutojnë lidhur me zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, temë e diskutimeve do të jetë vijimi i mbështetjes për Ukrainën, angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti.

Në këtë vizitë zyrtare, presidenti Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij.

Në përfundim të takimit, në orën 13:00, Presidenti Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Stoltenberg ka vlerësuar më herët rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit apo përmes ndihmës humanitare ndaj Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama në muajin korrik të vitit të kaluar.

“Shqipëria është një aleate mjaft e vlerësuar dhe e vlerësoj shumë që takohem sërish me ju”, u shpreh fillimisht Stoltenberg.

Shefi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilit i përfundon mandati në shtator të vitit 2023, u shfaq falenderues sa i takon nxitjes së stabilitetit dhe bashkëpunimit të Shqipërisë në rajon.

“Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni dhe në Bullgari dhe ju po kështu ndihmoni në ndalimin e agresionit ndaj secilit vend të Aleancës”, shtoi ai.

Stoltenberg vlerësoi sakaq edhe miratimin e menjëhershëm të autoriteteve shqiptare për protokollin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Sipas tij, kjo dëshmon se dera e NATO-s – referuar Suedisë dhe Finlandës – mbetet e hapur pasi është jetike në një kohë të paqëndrueshme sigurie.

“Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si edhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare. Vizita juaj e fundit ishte një dëshmi e këtij solidariteti”, deklaroi në përmbyylje shefi i NATO-s.

Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port i cili është në ndërtim e sipër në Adriatik.

Kreu i qeverisë shqiptare zbuloi në një konferencë shtypi se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.

Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, sipas Ramës.

“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizonte kryeministri.

Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.

Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore