Shqipëria

Presidenca e Ukrainës falënderon Shqipërinë për mbështetjen


Zëvendësdrejtori i zyrës së Presidentit në Ukrainë, Ihor Zhovkva, gjatë një bisede telefonike me drejtorin e komunikimeve pranë zyrës së Kryeministrisë shqiptare, Endri Fuga, ka falënderuar këtë të fundit dhe Qeverinë shqiptare për disa çështje bilaterale dhe më gjerë.

Mbajtja e hapur e kufijve mes dy vendeve, edhe gjatë pandemisë, ka qenë ndër pjesët kryesore.

Sipas Zhovkva-s, kjo e ka ndihmuar vendin e tij, pasi ka ofruar mundësi udhëtimi të ukrainasve, kur masat shtrënguese me vendet e tjera ishin të shumta.

Shqipëria në fakt, është ndër destinacionet e preferuara nga ukrainasit. Çdo javë, 15 avionë me turistë, mbërrijnë në Rinas nga Ukraina. Sezoni për ta ka filluar që më 25 prill, duke e zgjatur në kohë verën shqiptare.

Mbi këtë, është shprehur interes i madh dypalësh, për kontaktin mes vendeve.

Një falënderim i veçantë ka ardhur për mbështetjen që Shqipëria ka treguar, për çështje ndërkombëtare të Kievit zyrtar. Këtu, përfshihet mbështetja për situatën në Crimea apo integrimi Euro-Atlantik i ukrainasve.

Integriteti territorial i Ukrainës, është mbështetur gjerësisht nga Shqipëria. Rreshtimi kah aleatëve të NATO-s, ka qenë i menjëhershëm nga Qeveria shqiptare.

Nuk ka munguar nga Zhovkva edhe një urim për mandatin e tretë qeveritar. Po ashtu, edhe urime për zgjedhjen në Këshillin e Sigurisë pranë Kombeve të Bashkuara, me një mandat të përkohshëm dy-vjeçar të Shqipërisë.

Kjo e fundit, do të ketë rol në vendimmarrje të një rëndësie globale me këtë zgjedhje. Ndër to, edhe rol në situatën e Ukrainës.

Solidaritet nga ukrainasit ka ardhur edhe për shpërthimin e zjarreve në Shqipëri. Ndërsa, bashkëpunimi më i fortë midis vendeve në strukturat e larta, ka përmbyllur bisedën e Zhvokva-s me Fugën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore