Lajme

Presidenca çeke konfirmon për Albanian Post: Jemi shumë afër kompromisit për vizat, data është 1 janar 2024


Vizat

Zëdhënësja e delegacionit të përhershëm të Republikës së Çekisë në Bruksel, Eva Hrnçirova, ka konfirmuar për Albanian Post, se tashmë Këshilli Evropian është shumë afër kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Hrnçirova në një përgjigje për Albanian Post, tha se tashmë po punohet edhe për një datë të fiksuar.

“Jemi shumë afër një kompromisi brenda Këshillit në pyetjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Data që po punojmë aktualisht është 1 janari i vitit 2024”, tha Hrnçirova.

Më 5 nëntor, Albanian Post pati raportuar se që Kosovës t’i liberalizohen vizat shumë shpejt.

Burimet patën thënë për AP se Brukseli zyrtar ka marrë pëlqimin e të gjitha ministrive të shteteve anëtare dhe Këshilli i Ministrave do të vendosë pozitivisht për këtë çështje.

Përkundër informacioneve se është zyrtarizuar kërkesa e Francës që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), Albanian Post ka mësuar nga burimet se çështja e vizave për Kosovën tashmë është punë e kryer.

Më 10 nëntor, presidenca e Çekisë në Këshillin e Bashkimit Evropian, ashtu siç raportoi AP ka bërë të ditur se diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë pasur progres dhe në të njejtën kohë, do të provojnë që sa më shpejtë ta përfundojnë këtë çështje.

“Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociata”, thuhet në deklaratën e Presidencës së KE-së duke shtuar se “do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta kryejë punë në këtë çështje të rëndësishme”.

Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve. Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Më 4 maj 2016, KE i propozoi Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, me përmbushjen e dy standardeve të fundit – ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore