Lajme

Pranohet kërkesa e themeluesit të Wikilekas, Julian Assange, për t’u martuar në burg


Themeluesit tё burgosur të Wikileaks, Julian Assange, i është dhënë leja për t’u martuar me partneren e tij Stella Moris.

Që prej vitit 2019, australiani ndodhet në burgun e Belmarsh, në Mbretërinë e Bashkuar. Ai akuzohet për publikimin në vitin 2010 dhe 2011 të mijëra të dhënave lidhur me luftërat në Afganistan dhe Irak.

Julian Assange dhe Moris kanë dy djem së bashku, për të cilët ajo tha se erdhёn nё jetё, ndërsa ai jetonte brenda Ambasadës Ekuadoriane të Londrës.

Autoritetet e burgut bënë me dije se aplikimi i Assange-s u pranua dhe se “u konsiderua nga guvernatori i burgut, si diçka e zakonshme, si për çdo të burgosur tjetër”.

Ndërsa Moris u shpreh e lehtësuar “më në fund nuk ka më barriera nё martesën e saj”.

Sipas Aktit të Martesave të vitit 1983, të burgosurit kanë të drejtë të aplikojnë për t’u martuar në burg.

Pasi aplikimet miratohen, duhet t’i përballojnë shpenzimet e plota të martesës pa ndihmën e tatimpaguesit.

Në një intervistë me agjencinë mediatike “Daily Mail” vitin e kaluar, Moris, avokate e lindur në Afrikën e Jugut, tregoi se, “kishte qenë në një lidhje me Assange që nga viti 2015” dhe se “kishte rritur e vetme dy djemtë e tyre të vegjël”.

Stella Moris, partnerja e Julian Assange, duke u larguar nga Gjykata e Lartë në Londër, 28 tetor 2021

Në një video të postuar në llogarinë e Wikileaks në YouTube, ajo zbuloi se ishte takuar me Assange në vitin 2011, kur iu bashkua ekipit të tij ligjor.

Çifti ra në dashuri në vitin 2015 dhe u fejuan dy vite më vonë.

Assange i kishte parë të dy djemtë të lindnin përmes një lidhjeje me video dhe se i kishte takuar ata në një vizitë në ambasadë.

50-vjeçari po lufton ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara (SHBA) nën akuzat e spiunazhit.

Ai kërkohet në SHBA me akuzat për konspiracion dhe zbulim të informacioneve të mbrojtjes kombëtare, pas publikimit të qindra mijëra dokumenteve të zbuluara nga webfaqja e tij Wikileaks.

Publikimet përfshijnë disa pamje në prill tё vitit 2010, nё tё cilat tregohen ushtarët amerikanë që qëllojnë dhe vrasin civilë nga një helikopter në Irak.

Australiani ka qenë në burgun Belmarsh që nga viti 2019, pasi u dëbua nga ambasada e Ekuadorit në Londër dhe u arrestua nga policia për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

Që prej vitit 2012, ai kishte qëndruar në ambasadë duke shmangur ekstradimin në Suedi, ku u përball me akuza për shkelje seksuale, të cilat u hodhën poshtë nga organet e drejtësisë.

Assange i ka mohuar gjithmonë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore