Shqipëria

Ekuadori i heq nënshtetësinë themeluesit të Wikileaks


Ai gjendet në burg, në Britani. Por, ndërkohë, Ekuadori i ka hequr nënshtetësinë Julian Assange-s, themeluesit të Wikileaks, i cili aktualisht ndodhet në një burg britanik.

Sistemi i drejtësisë në Ekuador e njoftoi zyrtarisht atë për “pavlefshmërinë e shtetësisë së tij”.

Pajisja me pasaportë e shtetasve të huaj konsiderohet e dëmshme, kur jepet bazuar në fshehjen e fakteve përkatëse, dokumenteve të rreme ose mashtrimeve.

Autoritetet ekuadoriane thonë se, dokumentet e Assange-s për pajisje me pasaportë, kishin shumë mospërputhje dhe nënshkrime të ndryshme.

Carlos Poveda, avokati i Assanges, në një konferencë për mediat u shpreh se vendimi u mor pa procedurë të rregullt.

Poveda tha se ai do ta ankimojë vendimin, duke kërkuar sqarim më të detajuar për të.

“Më shumë sesa rëndësia e kombësisë, është çështje e respektimit të të drejtave dhe ndjekja e procesit të rregullt për marrjen e shtetësisë”, u shpreh avokati.

Assange mori nënshtetësinë ekuadoriane në janar të 2018-ës, si pjesë e një përpjekjeje të dështuar nga qeveria e presidentit të atëhershëm, Lenín Moreno, për ta kthyer atë në një diplomat.

Të hënën, Gjykata Pichincha për Çështje Administrative Kontestuese e tërhoqi këtë vendim.

Ministria e Jashtme e Ekuadorit, në një deklaratë zyrtare, tha se gjykata kishte “vepruar në mënyrë të pavarur dhe kishte ndjekur procesin e rregullt”.

Pse u dënua?

Assange, 50 vjeç, ndodhet në burgun e sigurisë së lartë të Belmarsh-it në Londër, qëkur u arrestua në prill të 2019-ës.

Ai kaloi shtatë vjet, i fshehur brenda Ambasadës së Ekuadorit në Mbretërinë e Bashkuar.

Assange u zhvendos në Londër në 2012-ën, për të shmangur ekstradimin në Suedi, për t’u përballur me akuzat e përdhunimit dhe sulmit seksual.

Prokurorët amerikanë e kanë akuzuar Assange-sin për 17 akuza spiunazhi dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit, mbi publikimin e mijëra dokumenteve ushtarake dhe diplomatike të WikiLeaks.

Akuzat parashikojnë një dënim maksimal me 175 vjet burg.

Prokurorët amerikanë thonë se ai ndihmoi në mënyrë të paligjshme analistin e inteligjencës të Ushtrisë Amerikane, Chelsea Manning, të vidhte dokumente diplomatike të klasifikuara dhe dosje ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë.

Avokatët e tij argumentojnë se ai ishte duke vepruar si gazetar dhe ka të drejtë për të publikuar dokumente, të cilat ekspozuan keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore