Lajme

Pozita dhe opozita me akuza ndaj njëra-tjetrës, dështon mbledhja e Komisionit për Administratë Publike


Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka dështuar që të mbahet të martën në mungesë të kuorumit, në të cilin pritej të raportonte Komisioni i Pavarur për Media.

Gjatë fillimit të mbledhjes deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë hedhur akuza mbi njëra-tjetrën për mosvotim të rendit të ditës, e po ashtu për mospjesëmarrjes të disa deputetëve në komision.

I pari që kërkoi që mbledhja të mos vazhdoj nëse nuk është votuar rendi i ditës ishte deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Meqë nuk kaloi rendi i ditës dhe ju e dini që e kemi bërë publike që nuk marrim pjesë në votim ju si mazhorancë është dashur ta bëni kuorumin dhe sigurisht që kjo mbledhje nuk ka arsye të vazhdojë”, ka deklaruar Lushtaku.

Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, është “papërgjegjësi” e opozitës mosvotimi i rendit të ditës.

“Ju vetë keni kërkuar këtë rend ditë dhe sot nuk votoni për diskutimin, jo për ligjin, për diskutimin kjo është e papërgjegjshme”, ka thënë Ramadani.

Lushtaku, i është përgjigjur atij duke i thënë se “e papërgjegjshme është të mos marrin pjesë në komision deputetët e pushtetit”.

Sërish Ramadani, i ka replikuar duke thënë se nuk është e drejtë që në mbledhje në seanca deputetët të nënshkruajnë dhe të marrin mëditje.

“Në këtë diskutim ku e keni kërkuar bashkë me ne, nuk merrni pjesë për ta votuar as rendin e ditës në anën tjetër nënshkruani dhe merrni mëditje kjo nuk është e drejtë”.

Pas këtij debati mbledhja është shtyrë për të hënën në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore