Lajme

Portreti i humbur me “rëndësi të jashtëzakonshme”, i ruajtur për Mbretërinë e Bashkuar


Një pikturë që është ruajtur për Mbretërinë e Bashkuar për “rëndësinë e saj të jashtëzakonshme” për studimin e racës dhe gjinisë në shekullin e XVII-të, do të shfaqet publikisht.

Portreti i artistit anonim i dy grave, njëra prej të cilave është me ngjyrë, është blerë nga Compton Verney, një galeri e vlerësuar.

E titulluar “Piktura alegorike e dy zonjave”, vepra, pjesë e shkollës angleze që daton rreth vitit 1650, duket të jetë një tablo moralizuese, duke kritikuar përdorimin e kozmetikës për të ndryshuar pamjen natyrale të një personi.

Fytyrat e tyre janë të mbuluara me simbole që ishin në modë në atë kohë dhe të cilat mbishkrimi i pikturës i dënon si një mëkat krenarie, një mendim i përhapur në shekullin e XVII-të.

Ata që mbanin shenja ose njolla të tilla – të bëra prej mëndafshi ose kadifeje – rrezikonin të provokonin zemërimin e Perëndisë.

Një pjesë e qëllimit të atyre shenjave ishte fshehja e papërsosmërive ose shenjave të sëmundjes.

Piktura rrezikohej të largohej përgjithmonë nga Mbretëria e Bashkuar pasi u shit në ankand në vitin 2021. Një ndalesë e përkohshme për të lejuar një institucion në Mbretërinë e Bashkuar ta merrte atë u vendos nga Komiteti i Rishikimit për Eksportin e Veprave të Artit dhe Objekteve me Interes Kulturor.

Organi i pavarur, i shërbyer nga Këshilli i Arteve, këshillon Sekretarin e Shtetit për Digjitalizimin, Kulturën, Median dhe Sportin nëse një objekt kulturor i destinuar për eksport është me rëndësi kombëtare sipas kritereve të përcaktuara.

Duke vënë në dukje se largimi do të ishte një “fatkeqësi”, raporti i komitetit thoshte se “përshkrimi i një gruaje me ngjyrë në një pikturë të viteve 1650 ishte shumë e pazakontë duke nxitur debate të rëndësishme rreth racës dhe gjinisë gjatë kësaj periudhe”.

“Vizualizon në një mënyrë që asnjë pikturë tjetër e periudhës nuk i bën debatet e hershme moderne në lidhje me moralin e përdorimit të kozmetikës, diskurse mbi bukurinë ideale dhe çështjet që kanë të bëjnë me hierarkinë gjinore, si dhe qëndrimet ndaj racës dhe përkatësisë etnike, veçanërisht në një epokë që dëshmoi kontakte në rritje globale përmes tregtisë dhe zgjerimit kolonial”.

Një pronar i paidentifikuar kishte synuar ta çonte pikturën jashtë shtetit nëse nuk mund të gjendej një blerës në Mbretërinë e Bashkuar.

Piktura në kanavacë me përmasa 640 x 750 mm, ishte e panjohur për studiuesit derisa u shfaq në ankand nga pasuria e Lordit të gjashtë Kenyon.

Ajo kishte një vlerësim fillestar midis 2 mijë dhe 4 mijë paund, por ngjalli një interes  intensiv sa u shit për 220 mijë paund.

Tani ajo është blerë nga Compton Verney për më shumë se 300 mijë paund, me 154 mijë e 600 nga Fondi Kombëtar i Trashëgimisë Përkujtimore (NHMF) dhe 50 mijë nga grantet e blerjes V&A.

Compton Verney mbuloi pjesën tjetër përmes një fondi blerjeje të krijuar nga shitja e një pikture disa vite më parë.

Piktura tani do t’i nënshtrohet konservimit dhe studimit të gjerë për të kuptuar narrativën komplekse nga Qendra Yale për Artin Britanik në Universitetin Yale, përpara se të shfaqet publikisht vitin e ardhshëm.

Compton Verney është i vendosur në një rezidencë gjeorgjiane të renditur në klasin I brenda 120 hektarësh parku të projektuar nga arkitekti i peizazhit të shekullit të XVIII-të Lancelot Brown.

Me koleksionet e tij të përhershme, është një muze i akredituar dhe bamirësi e regjistruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore