Lajme

Popov: Nënshkrimi do të perceptohej nga serbët si kapitullim, por Vuçiç mori përsipër përmbushjen e obligimeve


Aleksander Popov

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm në Beograd, Aleksandër Popov, në një prononcim për gazetën serbe “Blic”, vlerësoi se aryseja që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e nënshkroi dokumentin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën ka të bëjë me frymën nacionaliste që po mbretëron në Serbi.

“Formalisht, nënshkrimi i marrëveshjes do të perceptohej nga publiku ynë si nënshkrim i kapitullimit, i cili ndoshta do të çonte në protesta edhe më të ashpra të organizuara nga partitë e djathta. Por, kjo nuk do të thotë se ai nuk mori përsipër të përmbushë atë që ishte marrë vesh në Ohër”, pohoi Popov.

Ai po ashtu komentoi edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe 15 modelet evropiane që emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, ia ka prezantuar Qeverisë së Kosovës.

“Shumë varet edhe nga modeli që do të formohet. Nëse ky është një asociacion i zakonshëm i qyteteve siç ekziston në Serbinë qendrore, atëherë nuk është gjë tjetër veçse një organizatë joqeveritare”, deklaroi ai.

“Nëse ajo ka kompetenca më të mëdha apo edhe kompetenca ekzekutive, atëherë kjo do të jetë një çështje tjetër. Kjo para së gjithash do t’i karakterizojë serbët në veri të Kosovës, sepse serbët në jug të Ibrit janë më të integruar”, shtoi Popov.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Marrëveshja për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç vlerësojnë njohësit e së drejtës ndërkombëtare, ndonëse nuk është nënshkruar, është juridiksht e detyrueshme për të dyja palët.

Tash Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore