Lajme

Politika ‘zero-covid’, fjalimi 100 minuta për Xi Jinping


Politika e njohur si “zero-covid” në Kinë, sfidat e mëdha klimatike globale dhe një diplomaci e Pekinit larg asaj mendësie të Luftës së Ftohtë.

Nëse do të kishte një mënyrë për të përmbledhur fjalimin 100-minutësh të presidentit kinez, Xi Jinping, në kongresin historik të Partisë Komuniste kineze, i cili po zhvillohet në lindjen e largët, kjo do të ishte ajo!

Nuk është fshehur asnjëherë se qytetarët e Kinës janë tejet të frustruar prej izolimeve afatgjata në luftën ndaj pandemisë, edhe kur rastet në zona të caktuara janë shumë të ulëta ose thjesht individuale.

Por, sipas Xi, nuk ka mënyrë tjetër për të shpëtuar jetën e qytetarëve.

Mbi të gjitha, ajo çfarë ka bërë ai, ka qenë pikërisht në interes të tyre parësor.

Në kërkim të një mandati të tretë në parti, Jinping nuk u fsheh pas rënieve ekonomike që vendi i tij ka pasur vitin e fundit si pasojë e mbylljeve të shpeshta të qyteteve të caktuara prej virusit COVID-19, edhe pas një proteste (të rrallë në Kinë), e cila e dënonte qëndrimin e tij autokratik mbi çështjen.

“’Zero-covid’ do të thotë lufta e epërme e njerëzve për të ndalur përhapjen e virusit”, tha ai me siguri përballë ekzekutivit të partisë që drejton.

Më pas, sytë i ktheu për nga sfidat klimatike globale, në të cilat Kina doemos, duhet të luajë rol, për shkak se është edhe një nga ndotëset më të mëdha të mjedisit në botë, duke iu referuar industrisë së zhvilluar që vendi ka.

Për Xi, nuk ka dyshime se Pekini është njësh me politikat globale të vendosura dhe do të bashkëpunojë me fuqitë e mëdha për t’iu adresuar këtyre sfidave.

Kështu u hodhi dritë edhe synimeve diplomatike kineze, të cilat në fjalë të thjeshta, të përkufizuara prej liderit kinez, janë “shumë larg mendësisë së “Luftës së Ftohtë”.

Thënë kjo, asnjë mesazh i qartë nuk erdhi për qëndrimin që vendi i tij do të ketë ndaj Amerikës rivale, apo mënyrës se si dy shtetet do të vijojnë retorikën politike globale, e cila është në qendër të vëmendjes sot, edhe prej zhvillimeve të luftës në Ukrainë.

“Kina është krejtësisht kundër çdo forme të hegjemonive politike dhe e refuzon një mentalitet të Luftës së Ftohtë”, tha ai gjatë fjalës.

Teksa nga qëndrimi mbi Taiwani, mentaliteti, mbetet i njëjti: Është territor kinez…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore