Shqipëria

Politika shqiptare shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit arab


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të premten e 13 majit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të homologut të tij arab, Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan.

“Vlerësim të veçantë për rolin vendimtar dhe kontributin e Tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona, ndihmës vëllazërorë dhe zhvillimit e përparimit të Emirateve të Bashkuara Arabe”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Ai e mbyll postimin duke i shprehur ngushëllimet, “më të thella Madhërisë së tij Princit të Kurorës Mohammed bin Zayed, familjes, autoriteteve dhe popullit të Emirateve të Bashkuara për këtë humbje të madhe”.

Po ashtu edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nëpërmjet një letër drejtuar homologut të saj arab, Saqr Ghobash, i ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan.

“Emiratet e  Bashkuara Arabe janë një vend mik i Shqipërisë, një investitor i rëndësishëm në ekonominë shqiptare në sektorë prioritarë të zhvillimit si edhe partnerë të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, shkruhej në letrën e Nikollas, duke vënë theksin të marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Duke shprehur ngushëllimet ajo ka kujtuar dhe ndihmën që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë për sa i përket tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Ne i jemi mirënjohës EBA, këtij vendi mik dhe udhëheqësve të tij për ndihmën e madhe për ndërtimin e rreth dymijë apartamenteve e shtëpive për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 si edhe për financimin e mjaft projekteve sociale e humane për mbështetjen e grupeve nevojtare të popullsisë”, vijonte letra.

“U prehsh në paqe Presidenti Khalifa”, përmbyllet letra e Nikollas.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan, e bëri të ditur  agjencia e lajmeve e Emirateve WAM.

Khalifa bin Zayed Al Nahyan ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare.

Saka ai ka shërbyer si president i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtar i Abu Dhabit që nga 3 nëntori i vitit 2004.

Sundimtari, i cili ishte duke luftuar me sëmundjen për disa vite, kishte pushuar prej kohësh përfshirjen në punët e përditshme, me vëllain e tij, Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed, që shihej si sundimtari defaktor.

Bin Zayed u zgjodh për të pasuar babain e tij, të ndjerin Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili shërbeu si presidenti i parë i Emirateve të Bashkuara Arabe që nga bashkimi në 1971 deri sa vdiq më 2 nëntor 2004.

I lindur në vitin 1948, Sheikh Khalifa ishte Presidenti i dytë i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtari i 16-të i Emiratit të Abu Dhabit. Ai ishte djali i madh i Shejh Zayed.

Që kur u bë president i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa ka kryesuar një ristrukturim të madh si të Qeverisë Federale ashtu edhe të qeverisë së Abu Dhabit.

Pasi u zgjodh si President, bin Zayed nisi planin e tij të parë strategjik për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të arritur një zhvillim të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore