Lajme

Vdes presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, bin Zayed


Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan ka vdekur në moshën 73-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve e Emirateve WAM.

“Ministria e Çështjeve Presidenciale ngushëllon popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, kombin arab dhe islamik dhe botën për vdekjen e Lartësisë së Tij Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan, presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet në një deklaratë të WAM.

Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan shërbeu si president i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtar i Abu Dhabit që nga 3 nëntori i vitit 2004.

Sundimtari, i cili ishte duke luftuar me sëmundjen për disa vite, kishte pushuar prej kohësh përfshirjen në punët e përditshme, me vëllain e tij, Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed, që shihej si sundimtari defaktor.

Ai u zgjodh për të pasuar babain e tij, të ndjerin Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili shërbeu si presidenti i parë i Emirateve të Bashkuara Arabe që nga bashkimi në 1971 deri sa vdiq më 2 nëntor 2004.

I lindur në vitin 1948, Sheikh Khalifa ishte Presidenti i dytë i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtari i 16-të i Emiratit të Abu Dhabit.

Ai ishte djali i madh i Shejh Zayed.

Që kur u bë president i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa ka kryesuar një ristrukturim të madh si të Qeverisë Federale ashtu edhe të qeverisë së Abu Dhabit.

Pasi u zgjodh si President, bin Zayed nisi planin e tij të parë strategjik për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të arritur një zhvillim të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore