Lajme

Policia zbarkon në Karaçevë, aksion kundër kumarxhinjve të paligjshëm


Ilustrim: Aksion i Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, po zhvillon një operacion të ri në zonën e Karaçevës, të mërkurën e 15 dhjetorit.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Me datë 15/12/2021, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës”, ka thënë Kelani për AP.

Foto nga aksioni në Karaçevë.

Ndërsa, ka bërë të ditur se, “informacione më të plota do të jepen pas përfundimit të operacionit policor”.

Albanian Post ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se ka të arrestuar nga ky aksion.

“Është aksioni ende në progres dhe nuk kemi shumë informacione. Mund të ju konfirmoj se ka të arrestuar. Bëhet fjalë për pjesën ku ka pasur kazino ilegale të cilat janë rindërtuar”, tha Hashani për AP.

Në muajin gusht, policia e Kosovës kishte filluar bastisjen në fshatin Karaçevë brenda kazinove, ku ishin arrestuar disa persona.

Edhe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur disa detaje për aksionin në Karaçevë, duke e konsideruar si “një tjetër aksion të suksesshëm të Policisë së Kosovës”.

Nga ky aksion ministri ka thënë se janë konfiskuar mjete të bixhozit si dhe janë arrestuar persona.

Foto nga aksioni në Karaçevë.

“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka sqaruar arsyeja e organizimit të policisë së Kosovës të këtij aksioni në Karaçevë.

“Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë”.

Nga ky aksion Inspektoriati i Policisë së Kosovës kishte arrestuar disa zyrtarë të Policisë si të dyshuar për lidhje me kazinotë ilegale në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo në brezin kufitar Kosovë Serbi.

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Foto nga aksioni në Karaçevë.

Ndryshe, edhe më 3 dhjetor, policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore