Lajme

Kosovë: Nga aksioni “Subvencione 2021” arrestohen 31 persona


Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

Më 3 dhjetor, policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK”.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Ndërsa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.

“Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

“Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Po ashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale ka deklaruar se do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Albanian Post se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, tha Kelani.

Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

Sipas raportimeve, bëhet e ditur se në komunën e Istogut janë arrestuar Jeton Sylaj, Valbon Hakaj e Ardian Ramqaj zyrtarë në Drejtorinë e Bujqësisë.

Më 30 qershor, Albanian Post, kishte raportuar për vazhdimin e aksionit “Subvencioni 2021”.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore