Lajme

Policia shton prezencën në shkolla për parandalimin e akteve të mundshme kriminale


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, në rajonin e Gjilanit ka vendosur që të shtojë praninë e zyrtarëve policorë në shkolla dhe përreth ambienteve të tyre me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave”.

“Siguria në shkolla’’, plan i cili parashikon hapa konkret për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë bashkëpunimin e policisë dhe angazhimin e komunitetit shkollor”, thuhet në komunikatë.

Nga Polica e Kosovës, me këtë rast është planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prezencë të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal.

“Nga njësitet e komunitetit në kuadër të gjitha stacioneve policore në nivel të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan është vendosur bashkëpunim me autoritet edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve dhe këshillave të nxënësve duke përcaktuar masa të përbashkëta në implementim të projekteve e fushata vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore”.

Ndonëse Ministria e Arsimit këtë vit dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci e cila drejton dikasterin në fjalë ka uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore