Shqipëria

Policia shoqëron disa persona për vrasjen e Nikolin Lekstakaj


Autoritetet shqiptare kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje pesë persona në lidhje me vrasjen e Nikolin Lekstakaj (42 vjeç) në Balldren të Lezhës.

Deri më tani, pista kryesore e hetimeve është gjakmarrja, ndërsa Policia nuk ka arritur që të identifikojë mjetin e përdorur nga autorët.

Bëhet me dije se janë sekuestruar dhe po analizohen kamerat e sigurisë së bizneseve, të cilët mendohet të kenë filmuar lëvizjet e autorëve.

Ngjarja e rëndë u regjistrua të mërkurën e 19 korrikut rreth orës 18:30, në rrethana ende të paqarta.

Sipas rindërtimit të skenës së krimit, të krijuar dhe nga dëshmitë, viktima ka qenë në një market në Balldren, ku ka blerë një pije freskuese dhe kur ka dale është qëlluar me armë zjarri.

Në market nuk ka pasur njeri përveç shitëses, e cila është pyetur nga policia dhe ka dhënë dëshminë e saj.

Ajo ka treguar se një automjet në lëvizje me dy persona brenda ka qëlluar me breshëri plumbash dhe është larguar me shpejtësi.

Dyshohet se dy autorët kanë qenë të maskuar, por njëri prej tyre ka pasur rolin e ekzekutorit.

Gjithashtu dyshohet se vrasja ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt më 19 prill në Shëngjin.

Kujtojmë se Nikulaj mbeti i vrarë më 19 prill me shtatë plumba të qëlluar drejt tij, pikërisht në ambientin e hotelit që kishte në pronësi.

Nikulaj u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që ka qenë në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi shtatë herë 50-vjeçarin.

Teksa një pistë hetimi lidhet me gjakmarrjen, prej konflikteve me fisin Palaj (Lektasaj) një tjetër rrugë u hap, ku tregohen konflikte me një tjetër familje, atë Kolndreu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore