Kosova

Policia sërish me kërkesë për Qeverinë: Të dalin shtesat ose do të ndërmerren veprime të tjera sindikale


Policia e Kosovës.

Për mospagesën shtesë të rrezikshmërisë në punë për muajin shkurt dhe mars, sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar sërish duke kërkuar që të bëhet pagesa për shtesa.

Përmes një komunikate për media është thënë se nëse nuk ekzekutohen shtesat do të ndërmerren veprime të tjera sindikale.

“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, dhe kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit maj ne fillim te Qershorit dhe në asnjë rast të mos ketë shtyrje ne realizimin e së drejtës për të gëzuar të drejtën në shtesën e rrezikshmërisë”.

“Ne si Sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për ti realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona”, thuhet në komunikatë.

Teksa ka sqaruar se nga komunikatat që janë lëshuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme ishte thënë se paga për shtesat do të realizohet gjatë muajit maj.

Por, që një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.

“Për fat te keq ky premtim nuk u realizua as në këtë muaj, Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar dhe vazhdon të pranoj vërejtje dhe ankesa nga të gjitha njësitë në kuadër të Policisë së Kosovës për mos realizimin e shtesës së rrezikshmërisë edhe në këtë muaj si dhe pagesën retroaktive për muajin shkurt dhe mars”.

“Si dhe ankesat nga njësitet e stafit civil që punojnë në kuadër të PK-së që kanë të bëjnë me kategorizimin ku pritshmëritë kanë qenë të mëdha që shtesa e rrezikshmërisë dhe kategorizimi do të dalin me pagën e muajit prill dhe për muajt paraprak”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Një kërkesë të ngjashme sindikata e Policisë së Kosovës e kishte bërë edhe gjatë muajit mars ku kishte kërkuar ekzekutimin e shtesave.

Më 5 shkurt, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar të gjithë zyrtarët publikë se janë ekzekutuar pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

Kurse më 6 shkurt, Sindikata e Policisë së Kosovës i ka dërguar një letër Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore