Sport

Policia publikon planin e masave për ndeshjen Shqipëri-Poloni


Autoritetet shqiptare kanë publikuar të dielën e 10 shtatorit planin e masave për sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e organizimit të ndeshjes Shqipëri-Poloni.

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes në stadiumin “Air Albania”.

Për të garantuar sigurinë është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti: FSHF, Policia Bashkiake, Shërbimi Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (steward-et dhe personeli i sigurisë) dhe spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Policia vëren gjithashtu se janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Polonisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 metra mbi urën e Dajtit; rruga “Papa Gjon Pali II”; rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-ve; rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-ve”; rruga “Themistokli Gërmenji”; rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut; rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; rruga “Jul Variboba”, pranë postës; rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës dhe rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium.

Mes tyre përfshihen banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarret, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikuesët e telefonëve dhe sende të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Policia sqaron se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.

Nëse nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron po ashtu vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive.

Kjo, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kujtojmë që, portat e hyrjes në stadium do të hapen në orën 17:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore