Kosova

Policia për herë të tretë pranon informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve


Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Për të tretën herë me radhë, Policia e Kosovës, ka pranuar një telefonatë anonime, që në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë është vendosur mjet shpërthyes.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar , zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 12:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë”, deklaroi Ahmeti.

Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ndërkaq, bën të ditur se përsëri policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë.

“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”.

Personi anonim i cili është duke telefonuar Policinë e Kosovës, po raporton se ai ka vendosur mjete shpërthyese, ndërsa dy herët e kaluara, Policia ka konfirmuar se nuk kishte gjetur asnjë mjet të dyshimtë.

Më 23 dhjetor, përveç policisë së Kosovës, kanë qenë edhe Ekipet Mjekësore të Ndihmës së Parë dhe Ekipet e Zjarrfikësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore