Lajme

Policia nuk e ka ndërmend të dorëzohet para Qeverisë, deponohen zyrtarisht 14 kërkesat


Foto nga Albanian Post

14 kërkesat e prezantuara në protestën e fundit të Policisë së Kosovës do t’i bëhen edhe zyrtarisht këtë të martë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim me Sindikatën e Policisë së Kosovës, që tashmë i është bashkuar protestimit të iniciuar nga Njësia Speciale Intervenuese.

Kërkesat që kryesisht kanë të bëjnë me pagat, kushtet e punës, ri-organizimin e kategorizimeve dhe rritjen e të ardhurave nga shtesat e rrezikshmërisë, u shpalosen para Sveçlës nga kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri.

Njësitë Speciale, hetues e policë të rendit e trafikut protestuan për herë të fundit me 9 dhjetor përpara Qeverisë së Kosovës.

E pakuptueshme për ta, Qeveria që u ka premtuar rritje të ardhurash, ka bërë të kundërtën duke ua zvogëluar pagën në total.

Përveç në këtë takim të kryetarit të sindikatës me ministrin Sveçla, Specialët ishin takuar edhe me kryeministrin e Kosovës për t’ia prezantuar të njëjtat kërkesa.

Siç ka raportuar ekskluzivisht Albanian Post, Kurti nuk i ka përfillur fare, madje ka vënë në diskutim punën e tyre.

“Nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca” – Ekskluzive: Fjalitë brutale që Albin Kurti ua tha Specialëve në takimin e 15 nëntorit

Në takimin e 15 nëntorit pjesëtarët e Njësisë Speciale Interveneuse kishin mbetur të shtangur nga Kurti, kur Kryeministri i Kosovës iu kishte thënë se çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Albanian Post ekskluzivisht ka raportuar se çfarë është biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Në takimin që ka zgjatur tri orë, NjSI ia kishte shpjeguar kryeministrit kushtet e vështira në të cilat punojnë dhe i kishin prezantuar atij dhembjen që kanë ndjerë kur janë detyruar të dalin në protestë.

Përkundër një dëshire të ministrit Murati për të gjetur një kompromis, siç i kanë treguar Albanian Post-it tri burime brenda takimit, Kurti refuzonte çdo mundësi.

Çfarë do thonë të tjerët nëse dorëzohem unë para juve?”, u kishte shtruar pyetje policëve që s’po i lëshonte habia nga ajo që po dëgjonin.

S’jam dorëzu para BE-së e as para Amerikës, nuk mund të dorëzohem as para jush”, kishte vazhduar.

Kryeministri ua kishte pranuar policëve se ata mund të kenë të drejtë në kërkesat e shtruara, por aktualisht nuk është punë që gjen zgjidhje, meqë “nuk jam në gjendje të humbas”.

Në një moment gjatë takimit, të cilin – me të gjithë ata që ka biseduar Albanian Post – e kanë konsideruar si me tension, por mbi të gjitha “shumë të çuditshëm”, Kurti kishte akuzuar pjesëtarët e policisë për mënyrën se si kanë protestuar te Qeveria e Kosovës.

Ne tash e kemi një çarje”, u ka thënë.

Atë ditë, ditën e protestës, “keni ardhur para qeverisë dhe ma keni kthyer shpinën”.

NjSI ne proteste

FIT/NjSI, që u themelua në vitin 2007, kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë.

Është grupi më i vogël në polici për nga numri i anëtarëve, por grupi më profesional dhe efikas. Ata angazhohen në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë.

Ata bëjnë reagime të shpejta dhe profesionale, por për shkak të zhvillimeve në vitet e fundit në Veri të Kosovës, kanë marrë edhe role të tjera si menaxhimin e situatave të rrezikshme atje, patrullimin dhe kontrollimin në zona të rrezikshme.

NjSI shpesh portretizohet si krenaria e shtetit dhe shëmbëlltyrë e zhvillimit dhe profesionalitetit të organeve të Kosovës.

Në përgjithësi, Policia e Kosovës në sondazhe del si një nga institucionet më të besueshme dhe më të respektuara për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore