Lajme

Policia në Hong Kong arreston 6 anëtarë të një faqeje të pavarur lajmesh


Në Hong Kong, policia ka arrestuar gjashtë persona nga një faqe interneti e pavarur e lajmeve mbi një “komplot për të publikuar botime rebele”.

Në mesin e atyre që u vunë në shënjestër ishin si anëtarët aktualë ashtu edhe ata të mëparshëm të stafit të Stand News-it.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se u dërguan më shumë se 200 oficerë policie për të bastisur zyrën e publikuesit.

Përmes një deklarate, policia ka bërë me dije se ata ishin të autorizuar të “kërkonin dhe sekuestronin materialet përkatëse gazetareske”.

Ndërkaq, të arrestuarit që janë tre burra dhe tre gra, rezultojnë të moshës nga 34 deri në 73 vjeç.

Ata përfshijnë ish-kryeredaktorët dhe ushtrues detyre të Stand News-it, Chung Pui-kuen dhe Patrick Lam, si dhe yllin e popit Denise Ho, e cila ishte një ish-anëtare bordi.

Anëtarë të tjerë të bordit si Margaret Ng, Christine Fang dhe Chow Tat-chi ishin gjithashtu në mesin e të arrestuarve.

Hong Kongu ‘do të ketë gjithmonë nevojë për gazetarë’

Nga pamjet e postuara në faqen e Stand News në Facebook dallohen shumë oficerë policie në derën e zëvendës drejtorit Ronson Chan.

Chan nuk u arrestua, por u dërgua për t’u marrë në pyetje nga policia.

Një natë më parë, Chan kishte organizuar darkën vjetore të Shoqatës së Gazetarëve të Hong Kong-ut (HKJA), në të cilën është kryetar.

“Do të kishte gjithmonë nevojë për të vërtetën dhe gjithmonë do të kishte nevojë për gazetarë…pa marrë parasysh sa e vështirë është rruga përpara, shoqata nuk do të rrëzohet”, ka thënë ai.

Liria e shtypit në Hong Kong

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i ka dënuar arrestimet.

Koordinatori i programit të tij në Azi, Steven Butler, i ka quajtur ato “një sulm të hapur ndaj lirisë tashmë të dëmtuar të shtypit të Hong Kong-ut, teksa Kina rrit kontrollin e drejtpërdrejtë mbi ish-koloninë”.

Autoritetet e Hong Kong-ut kanë qenë gjithnjë e më shumë duke shtypur disidencën në qytet, pas vendosjes së një ligji për sigurinë kombëtare.

Ligji i diskutueshëm kriminalizon përçarjen, përmbysjen dhe bashkëpunimin me forcat e huaja dhe parashikon një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Për kritikët, ligji redukton në mënyrë efektive autonominë gjyqësore të Hong Kong-ut dhe e ka bërë më të lehtë ndëshkimin e demonstruesve dhe aktivistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore