Lajme

Policia konfiskon mbi 10 kilogramë heroinë në Merdare – ishin fshehur në gomën rezervë të një veture


Drejtori i anti-drogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli, në një konferencë për media ka njoftuar se brenda një veture me targa kroate këtë të diele në vendkalimin kufitar në Merdare janë gjetur 20 paketime të mbushura me heroinë.

“Gjatë kontrollit tek një automjet me targa kroate të drejtuar nga i dyshuari A.L, shqiptar, shtetas kroat, hetuesit kanë kontrolluar veturën e tij dhe kanë gjetur në bagazh të kamufluar në gomën rezervë të automjetit 20 paketime të substancës së narkotike të llojit heroinë”, tha Murseli para gazetarëve.

Sipas Murselit, vlera e kësaj substance narkotike sillet rreth 20 mijë euro për kilogramë në tregun e Kosovës, e që do përllogaritej si deri në 250 mijë euro si vlerë totale.

“Njësitet e forenzikës kanë bërë ekzaminim dhe procesin e provave të gjetura dhe kanë konstatuar se 20 paketimet janë në peshën e mbi 10 kilogramëve të llojit heroinë”, shtoi.

Tutje, ai ka shpjeguar se në derën e bagazhit janë gjetur të fshehura para në vlerë 2,500 euro dhe një telefon celular dhe po ashtu është sekuestruar vetura.

Ai ka theksuar se ky operacion policor është zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Destinacioni ishte drejt vendeve të BE-së. Gjatë këtij viti kemi konfiskuar edhe rreth 10 kilogramë të tjerë të substancave narkotike të llojit heroinë dhe janë arrestuar dhjetëra persona”, potencoi Murseli.

Ndërkaq i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit për krime të rënda është duke u intervistuar në prezencë të avokatit dhe pritet ndalimi policor për 48-orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore