Lajme

Policia jep detaje për rastin në “Bon Vivant”: 4 të plagosur me armë zjarri, 17 të tjerë nga thyerja e gotave


Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin që ka ndodhur në orët e mesnatës në një nga lokalet më të famshëm të kryeqytetit “Bon Vivant”, ku është bërë me dije se 4 persona janë lënduar me armë zjarri, dhe 17 prej tyre si pasojë e thyerjeve të gotave të qelqit.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndërkaq, nga policia bëjnë me dije se “katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë)”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia  K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”.

Për rastin, ka folur edhe Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, i cila ka treguar edhe gjendjen e të lënduarve.

“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama ose mjete të tupitura. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacioni dhe është në rrezik për jetë”, ka deklaruar Syla pasmesnatës.

Ndërkaq, ai shtoi se “prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile”.

“Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, potencoi Syla.

Në të njëjtin lokalë, në vitin 2014 kishte mbetur i vdekur një person.

Atëherë kishte mbetur i vdekur roja i lokalit.

Për rastin janë dënuar dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Gërdovci, në rigjykim është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje dhe 1500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi për vrasje në bashkëkryerje është dënuar me 6 vjet burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore