Lajme

Policia arreston një person të kërkuar nga Interpol-i


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka arrestuar një person i cili po kërkohej nga Interpol-i për veprën penale “kultivim të bimëve narkotike”.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një komunikate për media.

“Në kuadër të këtyre përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e veprave penale përfshirë edhe luftimin e kriminalitetit që kalon kufijtë shtetëror, në veçanti identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar që provojnë t’i ikin drejtësisë, sot më 12.10.2023, njësiti FAST-Kosova nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit e PK-së, kanë arritur ta arrestojnë një person në kërkim nga INTERPOL-i”, thuhet në komunikatën e Policisë.

I njëjti ishte në kërkim edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

“I dyshuari me urdhër arrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it kërkohej nga autoritetet e Shqipërisë nën dyshimin për veprimtari penale, respektivisht “kultivim të bimëve narkotike”.

Ndërsa me vendim të prokurorit kompetent personi i arrestuar është thënë se është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

“Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj në frymën e besimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen në funksion të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit në përgjithësi”, është thënë tutje në komunikatë.

Ndryshe, Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtare e INTERPOL-it, gjatë vitit 2018, pasi që nuk kishte mundur ta sigurojë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 kishin abstenuar.

Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova kishte marrë votën e 68 shteteve, 51 ishin kundër ndërsa 16 kishin abstenuar.

Ndërkohë Kosova kishte dështuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, në po të njëjtën ditë Asambleja e Përgjithshme kishte votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore