Lajme

Policia arreston dy persona, rrëmbyen dhe rrahën një 33-vjeçar nga Drenasi


Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi që dyshohet se të njëjtit kanë rrëmbyer një 33-vjeçar nga Drenasi duke e dërguar në një lokacion në qytetin e Lipjanit, ku është ushtruar dhunë ndaj tij dhe forma të ndryshme të kërcënimit.

Policia në një njoftim ka thënë se dy të arrestuarit janë E. S, 24 vjeç dhe Gj. S, 55 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht, Njësia e Hetimeve të Përgjithshme, ka arrestuar sot dy të dyshuar për një rast të ‘Privimit të kundërligjshëm të lirisë’. Rasti dyshohet të ketë ndodhur më datë 26.01.2022, rreth orës 22:45, në fshatin Shtrubullovë të komunës së Drenasit, me ç‘rast dyshohej se një person është rrëmbyer nga disa të dyshuar”.

“Viktima, mashkull, 33 vjeç, pasi ishte rrëmbyer nga të dyshuarit ishte dërguar në një lokacion në komunën e Lipjanit, me ç ‘rast ndaj tij ishte ushtruar dhunë dhe forma të ndryshme të kanosjes. Mbështetur në informacionet e para policia kishte filluar hetimin përfshirë këtu bastisjet në lokacione të ndryshme si edhe ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo policore, që rezultuan me identifikimin e personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pas arrestimit “me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”.

Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndim trupor”, si dhe “Kanosje”, thuhet në njoftim të policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore