Lajme

Policët në orar 12 orësh për të zbatuar “Orën Policore”


Ilustrim

Qeveria e Kosovës me vendimin që mori të enjten e 26 gushtit për masa të reja shtrënguese në parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, bëri që të rikthehet ora policore në vend.

Këto masa kanë hyrë në fuqi nga e hëna e 30 gushtit, ku nga ora 22:00 e deri në orën 05:00, qytetarët nuk do të kenë të drejtë të lëvizin lirshëm. Nga fillimi i këtyre masave e deri në orën 20:00 të së hënës, Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 200 gjoba për qytetarët të cilët nuk i kanë respektuar këto vendime.

Për zbatimin e këtyre masave nga qytetarët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se janë shtuar njësitet policore në terren dhe se orari tani për këtë të fundit është 12 orë.

“Janë angazhuar njësitet policore me orar 12 orësh, janë caktuar zyrtar policorë të informuar dhe zyrtarë civilë duke bërë kontrollimin në qytete dhe aty ku supozohet se janë duke u shkelur masat”, është shprehur ai për Klan Kosovën.

Sipas tij, qëllimi i policisë nuk është ndëshkimi i qytetarëve por parandalimi i përhapjes së Coronavirusit, përkatësisht variantit Delta që tashmë është shpërndarë në masë të madhe.

“Ne si Polici e Kosovës, nuk e kemi qëllim primar ndëshkimin por kemi qëllim primar parandalim e përhapjes së pandemisë dhe ruajtjen e shëndetit publik”, shtoi ai.

Kelani duke bërë apel drejt qytetarëve që t’i respektojnë dhe t’i përmbahen këtyre masave u është drejtuar të gjithëve duke u thënë “shfrytëzojeni metodën e vaksinimit”.

Qarkullimi i qytetarëve kufizohet nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:

“Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi)”.

“Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike”.

“Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës”.

“Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme sipas pikës 19, për shkak të ngjarjes së rëndësisë së veçantë”.

“Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre”.

Me vendimin e qeverisë, nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga këto dëshmi:

“Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19, testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë, Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore