Sport

Pochettino te Chelsea – edhe Lukaku do të qëndrojë


Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Chelsea do të emërojë Mauricio Pochettino-n trajner për sezonin e ardhshëm dhe argjentinasi do të përpiqet ta bindë Romelu Lukaku-n të qëndrojë në “Stamford Bridge”.

Sulmuesi belg është i huazuar te Interi, por do të kthehet te Chelsea në fund të sezonit aktual, siç u konfirmua nga Beppe Marotta para pak javësh.

Blutë e Londrës pritet ta emërojnë një trajner të ri për sezonin 2023/24 dhe “Gazzetta” konfirmon se Mauricio Pochettino është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e klubit.

“Mungon vetëm njoftimi zyrtar”, shkruan korrespondenti i Gazzetta-s në Londër, Davide Chinellato.

Sipas raportit, një nga çështjet e para të debatit mes ish-shefit të Tottenham-it dhe pronarit të Chelsea-t, Todd Boehly, do të jetë e ardhmja e Lukaku-t.

Pochettino thuhet se dëshiron të bindë sulmuesin belg të qëndrojë në klub dhe ai do t’ia prezantojë atij projektin për të ardhmen e Chelsea-t në javët e ardhshme.

Blutë nuk do të luajnë garat evropiane në sezonin 2023/24, por Pochettino synon të rindërtojë dhe thuhet se e sheh Lukaku-n si një lojtar me përvojë që mund ta ndihmojë atë në këtë proces.

Pochettino dhe Boehly do t’i japin kohë sulmuesit për të shqyrtuar ofertën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore