Lajme

“Po më helmojnë, më ka mbaruar koha”, ish-presidenti gjeorgjian i shkruan Macronit nga burgu


Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe armiku i betuar i presidentit rus, Vladimir Putin, Mikheil Saakashvili, i burgosur në Tbilisi me gjashtë vjet burg, ka kërkuar ndihmë nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Kam luftuar gjithë jetën për liri dhe reforma në Gjeorgji dhe në Ukrainë edhe kundër politikës imperialiste ruse. Putin-i më konsideron si një nga armiqtë e tij kryesorë. Ai më premtoi publikisht se do të më vriste. Më helmuan në burg. Unë po vdes, nuk më ka mbetur shumë kohë”.

Kështu shkruhej në letrën që Saakashvili i dërgoi Macron-it dhe “Le Monde-s”.

Saakashvili, 54 vjeç, ishte një nga protagonistët e lëvizjeve pro-evropiane dhe anti-ruse në hapësirën ish-sovjetike.

I lindur në Gjeorgji në kohën e BRSS-së, pasi studioi në Shtetet e Bashkuara dhe bëri debutimin e tij profesional në një firmë ligjore në New York, në mesin e viteve 1990 ai u kthye si bashkëpunëtor i presidentit të atëhershëm Chevarnadze përpara se ta linte atë dhe të merrte pjesë në “revolucioni i trëndafilave” në 2004.

Presidenti i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri në 2013, Saakashvili më pas u bë shtetas ukrainas në vitin 2015 dhe guvernator i rajonit të Odessa-s, për shkak të një aleance që më vonë u shndërrua në rivalitet me presidentin e atëhershëm Poroshenko.

“Të shpëtosh Ukrainën do të thotë gjithashtu të shpëtosh Gjeorgjinë, sepse të dy vendet po luftojnë kundër të njëjtit armik, Rusisë”, tha ai në atë kohë.

I internuar në New York pas shkëputjes me Poroshenkon, Saakashvili u kthye në Ukrainë në vitin 2019.

Ai u kujtua nga presidenti i ri Volodymir Zelensky, i cili e emëroi atë për të udhëhequr Këshillin Kombëtar të Reformës.

Por një vit më vonë Saakashvili njoftoi se donte të kthehej në vendin e tij të lindjes, Gjeorgjinë, dhe në tetor 2021 ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes së tij në Tblisi, me akuzën e “shpërdorimit të pushtetit” për të cilin ai tashmë ishte dënuar në mungesë me gjashtë vite burg.

Pas një greve urie për të protestuar për një dënim të padrejtë, gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë dramatike dhe pak ditë më parë ekipi i tij ligjor publikoi një raport mjekësor se Sakashvili ishte helmuar.

Sipas toksikologut amerikan, David Smith, “me një shkallë të arsyeshme sigurie mjekësore, metalet e rënda si merkuri dhe arseniku hynë në trupin e ish-presidentit pas ndalimit të tij”.

Mjekët që kanë shkruar raportin e datës 28 nëntor, argumentojnë se Saakashvili po merr trajtim të panevojshëm ose të dëmshëm dhe se pa trajtimin adekuat, “i cili duket se është mohuar ose nuk është i disponueshëm”, ai rrezikon vdekjen e menjëhershme.

Autoritetet gjeorgjiane sigurojnë që Mikheil Saakashvili të ndihmohet siç duhet dhe presidentja Salome Zurabishvili, një ish-diplomate franceze, nuk i është përgjigjur ende kërkesës për falje.

Në letrën drejtuar Le Monde dhe Macron, Saakashvili thotë se ai tashmë ka humbur mbi një të tretën (40 kilogramë që specifikojnë mjekët) të peshës së tij trupore dhe se nuk është më në gjendje të ngrihet në këmbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore