Lajme

Plani franko-gjerman mund të jetë humbja e radhës strategjike e Gjermanisë


Dështimet e Gjermanisë në Ukrainë pasqyrohen në mangësitë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Kështu shkruan në analizën e tij Janusz Bugajski, anëtari i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington DC.

Ato simbolizohen nga burokratë si Christian Schmidt, i cili nuk arrin të kuptojë dëmin që po shkakton në Bosnjë-Hercegovinë.

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit, Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar miratoi reforma të diskutueshme që përcaktojnë se si zgjidhen delegatët për Dhomën e Popullit, dhomën e sipërme të parlamentit të Federatës Boshnjako-Kroate.

Ndryshimet heqin të drejtën e votuesve, forcojnë partitë nacionaliste kroate dhe serbe, thellojnë ndarjet etnike, inkurajojnë separatizmin dhe ka të ngjarë të çojnë në konflikte të armatosura.

Berlin-i ka qenë gjithashtu në ballë të përpjekjeve të BE-së për të krijuar një marrëveshje për njohjen reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por në praktikë, ajo nuk ka arritur të bindë Beogradin se perspektivat e Serbisë në BE janë në rrezik nëse nuk e njeh Kosovën.

Në vend të kësaj, Gjermania vazhdon të tolerojë politikat destabilizuese të qeverisë “pro-Kremlinit” Vuçiç.

Ajo nuk arrin të shtyjë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe mbështet nismën e Ballkanit të Hapur që promovon hegjemoninë rajonale të Serbisë.

Plani gjermano-francez i zbuluar për realizimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është gjithashtu i paqartë dhe aspirativ pa mekanizma zbatues.

Vuçiç pretendon se plani i hartuar nga këshilltarët e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron është i papranueshëm dhe bie ndesh me kushtetutën e Serbisë sepse rekomandon që Kosova të anëtarësohet në OKB me miratimin e Beogradit.

Ai gjithashtu nuk ishte i impresionuar nga premtimet se Serbia do të fitonte ndihmë financiare dhe një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE.

Sipas Berlinit, plani është një tjetër “bazë për diskutim” dhe jo një recetë për një marrëveshje përfundimtare.

Nëse Berlini së bashku me partnerët e tij evropianë nuk ushtron njëfarë mase me afate dhe pasoja, plani do të kulmojë në një tjetër humbje strategjike gjermane.

Roli në Evropë

Gjermania ka hequr dorë nga çdo rol udhëheqës që mund të pretendonte në Evropë.

Përgjigja e saj jo e përshtatshme ndaj sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës e ka ekspozuar Berlin-in më shumë si një pengesë për sigurinë evropiane sesa si mbrojtësin kryesor të saj.

Gjermania, sipas autorit, gjithashtu ka qeveri hipokrite.

Kjo, duke predikuar kundër korrupsionit në Ballkan, duke mundësuar depërtimin masiv rus në ekonominë dhe sistemin e saj politik dhe duke deklaruar multietnicitetin si parim thelbësor ndërsa promovon ndarjen etnike në Bosnjë-Hercegovinë.

Gjermania u bë fuqia ekonomike e Evropës në themelet e Planit Marshall Amerikan, i cili nisi një rindërtim masiv nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore.

Ombrella ushtarake e Amerikës i mundësoi Gjermanisë të fokusohej në zhvillimin ekonomik dhe të neglizhonte çdo përgjegjësi për sigurinë e Evropës.

Fundi i Luftës së Ftohtë u perceptua në mënyrë naive në Berlin si fundi i ndarjes dhe konfliktit, në mënyrë që biznesi dhe fitimet të mund të ndiqeshin me një Rusi gjoja demokratizuese, pavarësisht nga interesat apo vlerat evropiane.

Qeveritë e njëpasnjëshme gjermane e hapën vendin ndaj ndikimit të shtetit rus, i cili depërtoi në të gjitha partitë kryesore politike, institucionet kombëtare, bankat, bizneset dhe korporatat energjetike.

Me përfshirjen e politikanëve dhe biznesmenëve gjermanë në marrëveshje fitimprurëse, Kremlin-i llogariti se mund të kontrollonte politikëbërjen e BE-së.

Rezultatet e korrupsionit të elitës ishin të dukshme në projektet energjetike si tubacionet “Nord Stream” dhe pastrimi i miliarda parave të pista ruse përmes bankave gjermane.

Emërimi i ish-kancelarit Gerhard Shroeder si kryetar i dy kompanive ruse të energjisë ishte krijuar qëllimisht për të sinjalizuar se Berlin-i ishte efektivisht nën kontrollin e Moskës.

Rezultatet e depërtimit të Moskës në politikën e jashtme gjermane kanë qenë të dukshme që nga fillimi i luftës së saj të zgjatur kundër Ukrainës.

Berlini ka hezituar të dërgojë armë në Kiev, gjoja nga frika se kjo mund të “provokojë” Putin-in dhe të “përshkallëzojë” konfliktin.

Në veçanti, Berlin-i mbajti tanke luftarake Leopard për Ukrainën që do ta ndihmonin shtetin lindor të zmbrapste sulmin e Rusisë.

Më në fund, në tetor Berlin-i u bë një furnizues më efektiv i armëve kur u bë e qartë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ishte e pamjaftueshme për të mbrojtur objektivat civilë në qytetet kryesore.

Gjermania siguroi sisteme të mbrojtjes ajrore Gepard, raketa-hedhës të shumëfishtë “MARS II” dhe aviatorë vetëlëvizës “Panzerhaubitze 2000”.

E vetmja parti që ka nxjerrë mësime të vërteta nga Gjermania naziste janë “të Gjelbërit” që pretendojnë se një regjim gjenocidal duhet të ndalet me forcë ushtarake sa më shpejt që të jetë e mundur.

Fatkeqësisht, kristiandemokratët dhe socialdemokratët kanë mbetur të mbërthyer në nocionin se lufta është një keqkuptim i përkohshëm dhe se ata së shpejti mund t’i kthehen biznesit si zakonisht me Rusinë.

Berlini ka qenë gjithashtu hezitues në vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike kundër Moskës duke u frikësuar nga ndikimi në sektorin e biznesit dhe ekonominë e saj, në vend që të marrë një nivel të lartë moral dhe strategjik.

Gjermania gjithashtu po zvarritet në ofrimin e mbështetjes ekonomike për Ukrainën.

Një konferencë e fundit e G7 në Berlin, kushtuar Ukrainës, nuk kishte asnjë premtim konkret për rindërtimin e pasluftës dhe një plan i ri Marshall i propozuar duket një perspektivë e largët kryesisht për shkak të hezitimit gjerman.

Washington-i beson se BE-ja duhet të marrë drejtimin ekonomik, ashtu si SHBA-të kanë marrë drejtimin ushtarak në ndihmën e Kiev-it.

Institucionet ndërkombëtare financiare, si Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve, pretendojnë se rindërtimi i Ukrainës duhet të fillojë shpejt për infrastrukturën kritike në pjesë të vendit më pak të ekspozuara ndaj luftës.

Banka Botërore vlerëson një total prej 350 miliardë dollarësh, me 105 miliardë dollarë në afat të shkurtër për të financuar nevojat më imediate.

Por pavarësisht se BE-ja pretendon lidership në rindërtim, ka pak vullnet për të dhënë shifra konkrete.

Vetëm 19 miliardë euro ndihmë financiare i janë dhënë Kiev-it që nga shpërthimi i luftës dhe vetëm 7 miliardë euro janë disbursuar.

Kjo është një pjesë e 66 miliardë dollarëve të shpenzuara nga Washington-i, duke përfshirë ndihmën direkte ushtarake, rimbushjen e rezervave ushtarake të SHBA-ve, masat parandaluese për shtetet e NATO-s dhe projektet e sigurisë së energjisë.

Ndihma e Gjermanisë për Ukrainën si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) zbehet në krahasim me fqinjët e saj më të varfër lindorë.

Polonia dhe Lituania i kanë premtuar Ukrainës gati gjysmë pikë përqindje të PBB-së së tyre, ndërsa Estonia dhe Letonia kanë premtuar pothuajse një pikë përqindje të PBB-së. Në krahasim, angazhimet e Berlinit arrijnë në një 0.085 për qind të PBB-së – shifër për të ardhur keq.

Analiza e Janusz Bugajski-t është përshtatur nga “Istraga” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore