Lajme

“Plani 9 pikësh për Veriun”, Taravari: Jam i shokuar, Osmani si kryesues i OSBE-së – ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë


Arben Taravari, kandidat për president të Maqedonisë së Veriut nga radhët e opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”, ka reaguar pasi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se plani nëntëpikësh i OSBE-së për de-përshkallëzim të situatës në Veri, është hartuar nga ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.

“Qeveria e Kosovës paska zbuluar dje se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkombëtarët. Jam i shokuar të kuptoj se Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”, ka shkruar Taravari në Facebook.

“Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore”, shtoi.

Taravari ka potencuar tutje se dokumenti i Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjtë që “na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku”.

“Fatmirësisht mendoj, qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë. Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka potencuar se plani nëntëpikësh i OSBE-së për depërshkallëzim të situatës në veri, është hartuar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. De-eskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale”, theksoi Kryeziu.

“Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Kryeziu i reagon Osmanit: E sheh Kosovën si ndërmjetës ndërkombëtar – deeskalimi në veri s’ndodhi sipas planit të OSBE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore