Lajme

Kryeziu i reagon Osmanit: E sheh Kosovën si ndërmjetës ndërkombëtar – deeskalimi në veri s’ndodhi sipas planit të OSBE-së


Albin Kurti dhe Bujar Osmani

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, deklaroi se deeskalimi i situatës në veri të territorit nuk ndodhi në bazë të planit 9-pikësh të OSBE-së, ashtu sikurse pretendoi ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili gjatë një interviste njoftoi se ky plan u hartua personalisht nga vetë ai.

Osmani në një intervistë për “Kallxo Pernime” të shtunën njoftoi se nga pozita e kryesuesit të OSBE-së e nxori planin 9-pikësh për deeskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës, i cili u publikua më 3 qershor 2023, porse zëdhënësi i ekzekutivit kosovar theksoi se ky plan nuk u pranua kurrë nga Kosova, duke sugjeruar se diplomati shqiptar hartoi një plan të keq.

“Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër”, shkroi Kryeziu, derisa listoi disa nga pikat ku janë hasur mospajtime sa i përket deeskalimit.

“Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë vetëm të ulë gatishmërinë e Ushtrisë (Pika 2). Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës”.

Po ashtu, kujtoi Kryeziu, pika 3 sugjeron që për sigurinë në terren, përgjegjëse të bëhet policia e rregullt, nën asistencën e KFOR-it dhe EULEX. Ai konsideroi se nëqoftëse se nuk do përgjigjej Policia e Kosovës gjatë dhe pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, atëherë sot do të bëhej fjalë për një realitet tjetër.

“Rendin dhe sigurinë në terren brenda ditës e riktheu Policia Speciale e Kosovës. Po mos të ishte kjo njësi në veri, sot do të njihnim një realitet tjetër pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë”, shkroi ndër të tjera zëdhënësi i qeverisë, derisa komentoi shkurtimisht edhe kërkesën e OSBE-së për dorëheqjen e katër kryetarëve shqiptarë në veri.

“Plani i kërkon Kosovës që kryetarët e katër komunave në veri të japin dorëheqje në verën e vitit të kaluar (Pika 5). Ashtu siç kërkonte me ngulm edhe Serbia, e cila shpresonte që në këtë mënyrë të zhbënte shpejt gabimin e saj me rastin e thirrjeve për serbët e Kosovës që të braktisin institucionet e Kosovës dhe të bojkotojnë zgjedhjet në katër komunat në veri”, potencoi ai.

“Dorëheqje të kryetarëve nuk ka – ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”, përfundoi Kryeziu replikën ndaj kandidatit për president të Maqedonisë së Veriut.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore