Lajme

Borrell: Mezi pres të punojë me Qeverinë e re serbe


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka deklaruar të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë.

Borrell, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në bllok.

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.

Më 2 maj, Kuvendi i Serbisë zgjodhi qeverinë e re të drejtuar nga Kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç.

Qeveria e Serbisë mori mbështetjen e 152 deputetëve të pranishëm.

Konstituimi i Qeverisë së Serbisë vjen në një kohë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar me shumicë serbe.

Qeveria e Serbisë u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në të cilat SNS-ja fitoi mbi gjysmën e shumicës në legjislativin serb. Megjithatë, zgjedhjet nuk ishin as të lira e as të drejta, derisa bashkësia ndërkombëtare u shpreh e shqetësuar për numrin e madh të parregullësive të raportuara gjatë ciklit elektoral të 17 dhjetorit 2023.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet ish-udhëheqësi i shërbimit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga vitit 2023.

E ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa Marko Gjuriç, ish-ambasadori i Serbisë në Uashington dhe ish-drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, do t’i bashkohet ekzekutivit serb si shef i diplomacisë.

Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë do ta drejtojë Bratisllav Gashiç, deri tani ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviç, ish-shef i diplomacisë serbe (2020-2022), aktualisht ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. E këtë ministri do ta udhëheqë Nemanja Staroviç, ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, ndërsa ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandër Martinoviç, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë. Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviç, ndërsa Ministrinë e Financave do ta drejtojë Sinisha Mali, i cili mban këtë pozitë nga viti 2018.

Gjithashtu, postin e ministres për Integrime Evropiane do ta mbajë edhe për një mandat Tanja Mishçeviç, ndërsa Sllavica Gjukiç-Dejanoviç do të jetë sërish ministre e Arsimit. Kreu i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve do të jetë përsëri kroati Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit do të jetë edhe për një mandat Zoran Gajiç, ish-trajner volejbolli.

Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariç Kovaçeviç, ndërsa Adrijana Mesaroviç do të jetë ministre e re e Ekonomisë. Ministër për Investime do të jetë Darko Gllishiç, ndërsa Dejan Ristiç ministër për Informim.

Në qeveri do jenë pesë ministra pa portofol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore