Kosova

Një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për plagosjen në Podujevë


Gjykata Themelore e Prishtinës.

Një muaj paraburgim është caktuar ndaj katër personave të cilët dyshohen se shkaktuan plagosjen në Lupç të Podujevës më 1 maj.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë, dërguar mediave.

“Gjyqtari i procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”.

“Paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.M, pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit”, sqarohet në komunikatë.

Më 2 maj, Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se tre persona po vazhdojnë të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas plagosjes që ndodhi të mërkurën në Podujevë, të njëjtit vazhdojnë të jenë nën sigurim të policisë.

“Me urdhër të prokurorit, janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura”.

“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje mirëpo tre prej tyre janë akoma duke marrë tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën sigurim të policisë”, thuhej në raport.

Kundër aktvendimit të gjykatës është thënë se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore