Lajme

Plagosja në Prishtinë, Policia: Të shtëna mes katër personave, dy të arrestuar e dy në arrati


Vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e të enjtes në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Bajram Bahtiri”, ku kanë bërë me dije se ka pasur të shtëna me armë zjarri mes katër personave, dhe si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i plagosur.

Nga policia lajmi e kanë bërë të ditur në raportin 24-orësh, ku kanë njoftuar se dy prej të dyshuarve janë arrestuar për t’u liruar më pas, derisa dy të tjerët ndodhën në arrati.

“Rr. Bajram Bahtiri, Prishtinë 11.01.2024 – 20:17. Raportohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri në mes katër të dyshuarve meshkuj kosovarë. Si pasojë, një i dyshuari është plagosur dhe është trajtuar në QKUK. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndryshe, në orët e mbrëmjes të së enjtes u raportua për një plagosje në Prishtinë.

I plagosuri u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa nga policia thanë se janë duke punuar për identifikimin e të dyshuarve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore