Lajme

Plagosen dy persona në Haraçinë, cak i sulmuesve ishte kryetari i komunës Ridvan Ibrahimi


Foto: Albanian Post

Dy persona janë plagosur këtë të hënë në komunën e Haraçinës në Maqedoninë Veriore, derisa mediat atje raportojnë se cak i sulmit ishte kryetari i kësaj komune Ridvan Ibrahimi.

Sipas mediave maqedonase, rasti ka ndodhur përderisa Ibrahimi ka qenë duke inspektuar punimet për rregullimin e trotuareve në një ndër rrugët kyçe të Haraçinës, kur dy persona kanë hapur zjarr ndaj tij dhe ekipit shoqërues.

Dy personat e plagosur po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Shkupit, derisa shoferi i kryetarit i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar, ndërsa personi tjetër ka gjendje stabile dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Drejtori i Klinikës për Kirurgji Torakale në Qendrën Klinike të Shkupit, Nexhati Jakupi, ka thënë për televizionin Telma se në klinikë është dërguar një djalë 30 vjeçar me plagë nga armë zjarri në gjoks.

“Plagët janë për operim urgjent, prandaj tashmë po hyjmë në sallë”, deklaroi Jakupi.

Ndërkaq të dyshuarit tashmë janë identifikuar nga organet e rendit, por vazhdojnë të jenë në arrati.

Megjithatë, Policia e ka të njohur njërin nga të dyshuarit kryesor që gjuajti në drejtim të Ibrahimit, meqë i njëjti në disa raste e kishte kërcënuar, madje e kishte sulmuar fizikisht kryetarin e Haraçinës.

Sipas mediave maqedonase, Ibrahimi ka qenë cak i sulmeve disa herë. Rastet ai i ka paraqitur edhe në Prokurori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore