Shqipëria

Piramida më në fund ka rëndësi


U ndërtua si një memorial i çuditshëm për diktatorin komunist paranojak të Shqipërisë që e shkëputi vendin nga pjesa tjetër e botës.

Kurse tani, piramida në zemër të Tiranës shpreson të bëhet një fener transformimi.

Ajo u projektua nga vajza e Enver Hoxhës si një muze në kujtim të tij vetëm pak vite pas vdekjes së tij në vitin 1985.

Brenda piramidës ngjyrë gri ishte e vendosur një statujë e madhe e ndritshme e “Mësuesit të Madh”, i cili sundoi vendin e mbyllur hermetikisht për katër dekada.

Por tani po kthehet në një qendër për të nxitur sektorin e teknologjisë embrionale të vendit.

“Ajo që shërbente për të lavdëruar një individ është përmbysur plotësisht, po bëhet një vend i krijuar për të edukuar njerëz, jo kushtuar një personi, por mijërave”, ka treguar Martin Mata, bashkë-president i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një nga aktorët kryesorë të projektit.

Projekti 15 milionë eurosh i bashkëfinancuar nga AADF-ja dhe autoritetet shqiptare do të strehojë një qendër edukimi për të trajnuar të rinjtë në të gjitha sferat digjitale në një program pas shkollës që synon të tërheqë 4 mijë studentë në javë.

Në fund të këtij viti, studentët do të jenë në gjendje të marrin mësime në modelim 3D, programim kompjuterik dhe dizajn digjital mbi pajisjet më të fundit.

Ndërtesa ka pasur disa jetë që nga rënia e komunizmit dhe është bërë një shenjë e kombit që ndryshon me shpejtësi, duke shërbyer si një klub nate, zyra të NATO-s dhe një studio televizive.

Por përsëritja më e re mund të jetë më e rëndësishmja, me Shqipërinë që humb çdo vit mijëra të rinj që largohen për të gjetur punë jashtë vendit.

“Janë para të shpenzuara mirë”, ka theksuar Mata.

Brendësia dikur e rrënuar e piramidës është ri-imagjinuar nga arkitektë holandezë dhe shqiptarë, me dritare masive që kanalizojnë dritën natyrale mbi blloqe zyrash shumëngjyrëshe.

Programi i edukimit digjital i njohur si Tumo, tashmë mirëpret rreth një mijë të rinj në javë në një kompleks në stadiumin kombëtar në Tiranë.

Në shtator, adoleshentët, mentorët dhe trajnerët profesionistë do t’i transferojnë operacionet e tyre në piramidë.

Struktura prej 12 mijë metrash katrorë do të strehojë gjithashtu një sërë biznesesh, bare dhe kafene.

Qiratë do të përdoren për të subvencionuar Tumo Tirana, duke i bërë kurset sa më të aksesueshme për studentët shqiptarë.

Drejtoresha e Tumo Tirana, Shqipe Berisha, ka treguar se piramida ka shërbyer prej kohësh si një simbol i transformimit të turbullt të Shqipërisë.

“Për mua piramida është si një pasqyrë e asaj që Shqipëria ka qenë ndër vite”, ka thënë ajo.

Sepse “prindërit tanë përpiqeshin të shpjegonin regjimin. Në kohën time ne rrëshqisnim te piramida, më pas ajo ishte pjesë-pjesë ashtu siç ishte vendi copë-copë. Tani ajo është e hapur. Kjo pasqyron hapjen e vendit”.

Marrë nga “AFP”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore