Lajme

Pikat kufitare mbeten të bllokuara, nuk u regjistruan incidente gjatë mbrëmjes


Të katër komunat në veri të Kosovës janë zgjuar mëngjesin e sotëm me mesazhin “Mirëserdhët në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Mbrëmja e 1 gushtit në veri të Kosovës ka kaluar e qetë, por në pikën kufitare Jarinje nuk ka pasur ndryshime në krahasim me të dielën, raporton gazetari i RTS-së, transmeton Tanjug.

“Ende nuk mund të ecësh as në veri të Kosovës”, ka raportuar ai.

Sot në mëngjes, policia në Rudnicë po njofton vozitësit që të tentojnë të kalojnë në vendkalime të tjera dhe për momentin është në funksion vetëm vendkalimi në Merdare.

Nga policia e Kosovës nuk ka informacione se kur Jarinja dhe Bërnjaku do të jenë të hapura për qarkullim.

Qeveria e Kosovës njoftoi të dielën në mbrëmje, para futjes në fuqi të masave për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës për personat me dokumente identifikimi dhe targa rregulluese serbe, se është e gatshme ta shtyjë zbatimin e këtyre vendimeve deri më 1 shtator.

Më pas, pritet heqja e barrikadave dhe vendosja e lirisë së plotë të lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Njoftimit të Qeverisë së Kosovës i ka paraprirë shkëmbimi i mesazheve diplomatike dhe thirrjeve për qetësimin e tensioneve.

Kyçe ka qenë thirrja e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, drejtuar autoriteteve kosovare që të shtyjnë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.

Kjo e fundit, ngriti më këmbë udhëheqjen serbe dhe serbët e Kosovës reaguan duke vendosur barrikada në rrugët në veri drejt vendkalimeve Jarinje dhe Bërnjak.

Misioni Ushtarak Ndërkombëtar i Kosovës (KFOR) njoftoi të dielën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e tensionuar, se po e monitoron nga afër situatën dhe se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

Ata shtuan se misioni i NATO-s është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe paqësor dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të masave të reciprocitetit dhe i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhin përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Borrell, i cili është edhe ndërmjetësi kryesor në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ripërsëritur se normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar për përparimin e të dyja palëve në rrugën drejt integrimit në BE.

Qeveria e Kosovës dënoi ashpër bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës dhe armatosjen e njerëzve përmes strukturave ilegale, transmetoi Agjencia Anadolu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se orët, ditët dhe javët e ardhshme do të jenë sfiduese dhe problematike, sepse siç tha ai, Prishtina është “përballë nacional-shovinizmit serb”.

Në një adresë video në Facebook, ai ka thënë se “Strukturat ilegale serbe kanë bllokuar rrugët para fillimit të dhënies së dokumenteve për hyrje dhe dalje nga Kosova”.

Ai shtoi se autoritetet kompetente janë duke mbledhur informacione, duke monitoruar situatën dhe se do të “veprojnë në mbrojtje të ligjit dhe qytetarëve, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të dielën në mbrëmje, pas një takimi në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, se shpreson që situata në Kosovë të de-përshkallëzohet deri të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore