Lajme

“Pfizer më pak efektiv kundër variantit Delta”


Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, u shpreh se për zyrtarët shëndetësorë izraelitë, efektiviteti i vaksinës “Pfizer” kundër variantit Delta është më i ulët.

“Ne nuk e dimë saktësisht deri në çfarë shkalle ndihmon vaksina, por është dukshëm më pak”, tha Bennett.

Kjo deklaratë erdhi gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të shëndetësisë, në një moment kur shifrat në Izrael janë në rritje.

Ndërkaq, Bennett tha se në “Britaninë e Madhe, ditët e fundit, kemi parë një rritje të numrit të fëmijëve që po shtrohen në spital çdo ditë. Ky është një zhvillim për të cilin jemi të vetëdijshëm, po përballemi me të në mënyrë racionale dhe me përgjegjësi”.

Numri më i lartë i rasteve të coronavirus-it që nga marsi u diagnostikua të enjten e 15 korrikut, me 1.52% të testimeve pozitive, tha Ministria e Shëndetësisë në një njoftim të së premtes.

Për Bennett, duhet vënë theksi te testimi i shpejtë, të cilin ai dëshiron ta shohë të arritshëm për të gjithë që jeta të vijojë edhe gjatë pandemisë.

Ministrat ranë gjithashtu dakord që i gjithë stafi i punësuar nga spitalet për të ndihmuar gjatë krizës së coronavirus-it do të qëndronte i punësuar deri në miratimin e buxhetit të shtetit. Kjo përfshin rreth 600 mjekë dhe 1 mijë e 600 infermierë.

Brenda parashikimeve

Ndërsa muajin e kaluar rastet e reja ditore kanë shënuar rritje të shpejtë, rritja ditore e infeksioneve është akoma më e ulët sesa parashikimi i Ministrisë së Shëndetësisë afërsisht dy javë më parë, i cili parashikonte që Izraeli do të përballej me 600 raste të reja të coronavirus-it në ditë brenda një jave, dhe 1 mijë në ditë pas 10 ditëve.

Varianti Delta i virusit, i cili ka origjinën në Indi, është dy herë më ngjitës sesa lloji fillestar dhe është bërë varianti dominues në Izrael.

Qeveria izraelite njoftoi të enjten një propozim, sipas të cilit shtetasit, që janë vaksinuar kundër COVID-19, të shëruarit apo ata që kanë marrë një rezultat negativ të testit të kohëve të fundit, të marrin pjesë në evenimente edhe në ambiente të mbyllura.

Duke folur në një konferencë shtypi, kryeministri Naftali Bennett tha të mërkurën se Izraeli mund ta mundë variantin Delta brenda pesë javësh.

“Ne kemi dy mundësi: opsioni i parë është të qëndrojmë indiferentë, të themi se është problemi i qeverisë dhe më pas rastet do të rriten dhe ne do të duhet të zbatojmë një bllokim; opsioni tjetër është që secili prej nesh të marrë përgjegjësin e tyre, dhe mund ta përfundojë gjithë këtë situatë në pesë javë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore