Lajme

Petkoviç, opozitës serbe: “Nuk sulmohet Gjakova e Kaçaniku nga kafenetë dhe interneti, pa shkuar kurrë në Kosovë”


Drejtori i së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç

“Ka shumë njerëz në Beograd që duan ta sulmojnë Gjakovën e Kaçanikun, por nga kafenetë e Beogradit dhe rrjetet sociale, pa shkuar kurrë në Kosovë”, tha drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç, duke kritikuar opozitarët serbë dhe lavdëruar politikën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

I vetëdijshëm për këtë pamundësi, Petkoviç u shpreh se “ne që nga 1999 nuk kemi ushtri dhe polici në Kosovë”.

“Të vetmin mekanizëm që kemi është dialogu dhe reagimi diplomatik”, tha ai në televizionin “Kurir”.

Madje, ai atribuoi presidentit serb “parandalimin e një lufte në veri të Kosovës, që do të shpërndahej anembanë Ballkanit Perëndimor”, dhe për këtë gjë duke e fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nëse ne do të donim konflikt, a do të ishin tërhequr njerëzit tanë nga barrikadat, a do të investonim kaq shumë përpjekje në 48 orët e fundit, për të parandaluar gjithçka çfarë do të mund të kishte ndodhur”, tha mes tjerash Petar Petkoviç.

Dy masat e reja të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, përkatësisht ndalimi i targave ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe si dhe reciprociteti rreth dokumenteve identifikuese hyrëse/dalëse me Serbinë, u shtynë për 30 ditë.

Masat e qeverisë së Kosovës janë në linjë të plotë me Marrëveshjen e Brukselit, si dhe janë mbështetur në plotëni nga ShBA dhe BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore